Frikë nga Covid-19 dhe disa mungesa…; trajneri i Wolfsburg nuk i druhet Kukësit dhe asnjë pengese

16 Shtator 2020
11:35
Alfred Lleshi
back button

Klubi i Bundesligës, VfL Wolfsburg, mund të mbështetet përsëri te Koen Casteels për kalimin më sukses të raundit të radhës në “Europa League”. Portieri titullar, që mungonte në kupë kundër Union Fürstenwalde (4:1) dhe u zëvendësua nga Pavao Pervan, do të kthehet mes shtyllave për ndeshjen kundër FK Kukësi, në kryeqytetin shqiptar të Tiranës, sipas trajnerit Oliver Glasner, i cili shpalos hapur edhe synimet në këtë transfertë: “Nëse performanca jonë është e duhura, mund t’ia dalim lehtë edhe në këtë raund. Ne duam të futemi në fazën e grupeve të Ligës së Europës. Udhëtim në zonën e rrezikut (prej oronavirusit)? Unë e shoh situatën relativisht të relaksuar”.

E megjithatë, ankthi i udhëtimit në një zonë me rrezik korone, sikurse e konsiderojnë mediat gjermane, ekzsiton te futbollistët. Faqja e Ministrisë së Jashtme Federale paralajmëron kundër “udhëtimeve të panevojshme turistike në Shqipëri”. Sipas Ambasadës Gjermane në Tiranë, aktualisht rregullat e emergjencës zbatohen në të gjithë Shqipërinë për shkak të koronavirusit. Atëherë, si do të merret VfL me “armikun” e padukshëm? Flet trajneri Oliver Glasner: “Gjysma e Europës është një zonë rreziku. Pra, nëse doni të luani në Kupat e Europës, pothuajse në mënyrë të pashmangshme duhet të shkoni në një zonë rreziku. E shoh relativisht të relaksuar situatën, sepse tashmë i njoh masat e sigurisë dhe konceptin e higjienës. Kjo përfshin, ndër të tjera, mbajtjen e maskave dhe shmangien e kontaktit me njerëzit e tjerë, prandaj nuk kam shqetësime në këtë pikë”.

Lojtarët u grumbulluan të mërkurën në mëngjes, ndërsa në orën 12:00 të mesditës, ekipi fluturon nga Braunschweig për në Tiranë: “Me një minibus do ë shkojmë në hotel, do të stërvitemi në orën 6 të darkës. Edhe të enjten në mëngjes do të djersijmë pak. Stërvitjen shkrythëse të së enjtes do ta bëjmë në një dhomë më të madhe në hotel, përpara se të jap udhëzimet e fundit taktike mbi ndeshjen. Menjëherë pas lojës do të kthehemi në Wolfsburg”.

Sezonin e kaluar, kundërshtari i VfL zuri vendin e dytë në Superiore, elita e futbollit shqiptar. Ndërsa gara për VfL vetëm sa ka filluar, Kukësi ka luajtur tashmë në raundin e parë kualifikues. Ai fitoi 2-1 kundër Slavia Sofia, në shtëpi. “Ne e pamë ndeshjen e tyre, – sqaron trajneri i VfL. – Donim të shihnim edhe një ndeshje të dytë të Kukësit, por tani fillimi i kampionatit është shtyrë në Shqipëri, kështu që pamë vetëm një të tillë”.

Sfondi me sa duket nuk është situata e koronavirusit në vendin e vogël ballkanik, por një mosmarrëveshje midis ligës dhe qeverisë, e cila ndër të tjera merret me rregulloret tatimore. Kukësi dhe krejt klubet e tjera të Superiores kanë vendosur të bojkotojnë nisjen e kampionatit; i kanë pezulluar ndeshjet për momentin. Në ndeshjen kundër Slavia Sofia, ekipi i Kukësit aplikoi sistemin 4-3-3 dhe 4-1-4-1. Trajneri Glasner vlerëson kundërshtarin: “Kukësi është një ekip me përvojë teknike”. Kjo ndodh më shpesh me ekipet nga Ballkani. E megjithatë, VfL është favoriti i qartë. Këtë e pranon edhe Glasner: “Nëse performanca jonë është e duhura, do të përparojmë në raundin tjetër”.

Mbrojtësi John Anthony Brooks nuk do të jetë gati, sepse u dëbua nga fusha me karton të kuq në “Europa League”, sezonin e kaluar, kundër Shakhtar Donetsk. Gjithashtu, nuk mund të luajë as mbrojtësi i majtë, Jerome Roussillon, për shkak të problemeve me shpinën; as portieri Koen Casteels, i cili pëso lëndim kundër Fürstenwalde. Sulmuesi Omar Marmoush ka probleme në gju, kështu që nuk do të fluturojë fare drejt Shqipërisë.

Këto vështirësi nuk përbëjnë kurrsesi justifikime për trajnerin Glasner: “Ne thjesht duhet të bëjmë punën tone. Duam të kalojmë në fazën e grupeve të Ligës së Europës. Vështirësitë e tilla janë pjesë e kësaj loje. Nëse e shohim ndeshjen si një sfidë, asgjë nuk do të jetë problem”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit