Frikë për Luca Toni, sulmohet dhe grabitet në vilën e tij nga banditë të armatosur

24 Tetor 2020
12:12
Alfred Lleshi
back button

Frikë në shtëpinë e Luca Toni. Tre banditë, me armë në dorë, hynë të enjten në mbrëmje në vilën e tij në Montale, një fshat i “Castelnuovo Rangone”, duke e kërcënuar atë. Ish-sulmuesi italian ishte në shtëpi me fëmijët e tij, ndërsa grabitësit i kërkuan të dorëzonte paratë dhe sendet me vlerë. “Ishin momentet më të këqija”, – pranoi ish-sulmuesi i kombëtares axurre, i cili kërkoi diskrecion në hetim.

Nga mënyra e grabitjes, duket se banda ishte e informuar për zakonet e shtëpisë së Tonit. Tre prej tyre hynë në shtëpi, kur ishte errësuar, dhe sulmuan ish-futbollistin, pa përfshirë fëmijët. Një grabitës i katërt mbeti në makinë (sipas dëshmitarëve, duket se ishte një Audi i zi), duke pritur për bashkëpunëtorët e tij. Ekspertët e forenzikës kërkuan gjurmë ose të dhëna, gjithashtu u kontrolluan edhe kamerat në zonë. Ka frikë se banda është e njëjta që ka sulmuar bankomatët në zonë, që nga pranvera e kaluar.

Kjo është hera e dytë që vila e Luca Toni vihet në shënjestër të banditëve. Diçka e tillë kishte ndodhur tashmë në vitin 2008, kur hajdutët i morën edhe një fanellë të ekipit kombëtar, duke i lënë “Këpucën e Artë”, të fituar më 2005-2006 dhe medaljen e artë të Kupës së Botës 2006.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit