FSHF nis procesin e licencimeve, kushte të hekurta dhe asnjë tolerim për klubet

2 Dhjetor 2019
12:38
Eraldo Harlicaj
back button

Fedarata Shqiptare e Futbollit ka mbyllur shpesh herë një sy, ndonjëherë të dy dhe hundën për të licencuar klubet tona në Superiore. E detyruar nga gjendja kaotike e pjesës më të madhe të klubeve, drejtuesit e institucionit më të lartë të vendit tonë kanë pranuar ndonjëherë dhe kushte që nuk duhej të pranoheshin. 

Situata duket se do të jetë ndryshe për sezonin e ri që do të nisë për 2020-21, pasi FSHF ka dalë që sot me njoftim zyrtar ku kërkon nga klubet që deri më 31 mars 2020 të plotësojnë kriteret e licencimit për edicionin e ri futbollistik.    

Postimi i FSHF-së: “Sektori i Licencimit në Federatën Shqiptare të Futbollit njofton të gjithë klubet dhe opinionin publik se ka filluar procesi i licencimit të klubeve shqiptare për një licencë në kompeticionet e FSHF-së dhe UEFA-s për sezonin e ardhshëm 2020-2021. Ky proces do të përfundojë më 31 Mars 2020, sipas afateve të vendosura nga UEFA.

Gjatë kësaj periudhe klubet aplikante për licencë duhet të paraqesin në sektorin e Licencimit në FSHF të gjithë dokumentacionin e kërkuar për të përmbushur pesë kriteret që kërkohen për të përmbyllur këtë proces.

Duke filluar me kriterin sportiv, atë infrastrukturor, administrativ, ligjor dhe kriterin financiar, i cili është edhe kriteri me peshë specifike (dhe rëndësinë më të madhe) në raport me kriteret e tjerë. Të gjithë përfaqësuesit e klubeve janë ftuar të marrin pjesë në seminarin që organizohet më datë 12 Dhjetor 2019 nga Federata Shqiptare e Futbollit“, – shkruhet në deklaratë. 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit