Futboll

Futboll me paterica, Superiorja është me alarm SOS

Letra e hapur nga Drejtori Sportiv i Luftëtarit, Rigels Malile, (hiq pjesën e favorizimeve mediatike dhe injorancës së pakuptueshme në publikimin e saj një ditë mbrapa për të tjerët duke kaluar në nivel poshtë zeros së amatorizmit) ishte një klithmë për futbollin tonë “super”. Ekipi i Luftëtarit që përfaqësoi Shqipërinë në Europë në verë nuk ka para as për autobusin, as për shtëpitë me qera e as për ushqimin e futbollistëve, gjërat bazike. Rrogat janë ëndërr, ndërsa futbollistët mund të largohen në janar, pasi kanë kërkuar që të shkëpusin marrëdhëniet me klubin.

Në fakt, nuk është vetëm ekipi gjirokastrit që përballet me probleme të tilla. Nga ekipi i parë i Superiores e deri te i fundit nuk ka garanci financiare. Nuk është fshehtësi më që klubet tona bëjnë evazion fiskal, por shshsh të gjithë mbyllin veshët e sytë, kompromis i përbashkët. Përndryshe nuk do të kishim futboll. Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, del hapur dhe thotë se rrogat janë vonuar dhe se i hap vendin atij që e bën më mirë duke kujtuar shifrat që ka paguar deri tani.

Te Skënderbeu pati protesta për vonesën e rrogave dhe në asnjë ekip tjetër të Shqipërisë futbollistët nuk janë paguar rregullisht. Presidentët kanë gjetur “mirëkuptimin” në distancë, hera e vetme që bëhen të gjithë bashkë, nuk paguajmë rregullisht dhe lojtarët nuk hapin gojën, pasi nuk kanë ku të shkojnë. Vorbull e çuditshme që tregon dhe njëherë problemet e thella që kanë pushtuar klubet shqiptare që mbahen me “paterica”. Të vetmet burime të ardhurash janë nga pjesëmarrjet në Europë, pasi biletat nuk luajnë peshë në stadiumet e zhveshura, ndërsa të drejtat televizive janë shumë të ulëta. Superiorja nuk shet dhe ky është fakt!

Gënjehemi dhe gënjejmë veten, pasi këtë kemi, këtë duhet të mbrojmë, por praktikisht jemi një ndër kampionatet më të dobëta në rajon. E nëse shesim ndonjë lojtarë, me pikatore, përjashto Skënderbeun në vitet e fundit, marrim një njollë tjetër. Kapërcimi i ligave vë në dukje nivelin tonë të dobët, pasi dy emrat më të rëndësishëm që “eksportuam” në Europë sezonin e fundit, Sindrit Guri dhe Kristal Abazaj po hasin shumë vështirësi në një kampionat mesatar të kontinentit të vjetër, siç është Belgjika. I vetmi që na zbardh faqen është Uzuni që ka bërë një kapërcim me mend!

Telesport është krenar që bashkëpunon me Krowd9, një aplikacion fantastik i futbollit për shqiptarët! Shkarkojeni > bit.ly/krowd9 për video me përmbledhje ndeshjesh, njoftime të menjëhershme për golat dhe të gjitha lajmet e Telesport! Krowd9 është i përdorshëm në shqip, italisht dhe anglisht.

Më shumë nga Futboll