Futbolli shqiptar në zi, ndahet nga jeta ish-presidenti i FSHF

16 Tetor 2019
10:12
Alfred Lleshi
back button

Futbolli shqiptar në zi. Pak muaj pa mbushur 87-vjeçar, është ndarë nga jeta “polivalenti” i këtij sporti në vendin tonë, Miço Papadhopulli. Me një CV të jashtëzakonshme si futbollist, pedagog në ILKF, drejtues i futbollit, president i FSHF-së, anëtar i Komisionit Teknik në FIFA dhe UEFA, “Daja”, sikurse e thirrnin të gjithë, ka mbyllur sytë, duke lënë një boshllëk të madh te familjarët, miqtë, kolegët dhe tifozët. I lindur më 11 mars 1933, Papadhopulli spikati si një nga mbrojtësit e shquar të Partizanit dhe kombëtares kuqezi. Në vitet 1950-1960 ishte një ndër pikat më të forta të “demave të kuq”, krahas Maliqatit, Fagut, Ndinit, Resmes, Krajës, Jasharit, Panos, Bytyçit, Dingut, Dedes, Deliallisit, Roza Haxhiut. 

Pati fatin dhe nderin të ishte pjesë e atij Partizani të madh, që fitoi 6 tituj kampioni në 7 vite. Po ashtu, ka qenë fitues i medaljeve të argjendta në “Lejpsig 1958” dhe “Hanoi 1963”. Papadhopulli luajti 11 sezone me Partizanin e madh të Rexhep Spahiut dhe më vonë të Loro Boriçit, që nga vitit 1953. Krahas të luajturit në fushë, “Daja” dha kontribut të madh edhe në katedër, duke dhënë mësim në ILKF (sot, Universiteti i Sporteve). U ngjit deri në gradën profesor-doktor. Është autor i disa librave për futbollin dhe ka nxjerrë dhjetëra breza studentësh në shkollën e futbollit. 

Ai pati mundësinë t’i provojë të gjitha në jetë: nga të rinjtë te Partizani, pastaj te kombëtarja, shef teknik i FSHF, përgjegjës i sektorit të futbollit të FSHF, president i FSHF (para nisjes së epokës “Duka”). Ka marrë disa vlerësime e çmime, si “Mjeshtër i Madh”, “Mjeshtër i Merituar Sporti” dhe “President Nderi i FSHF”. “Telesport” i shpreh ngushëllimit e sinqerta familjes me rastin e humbjes së njeriut të dashur, i cili i përkiste po aq edhe tërë futbollit shqiptar. U prehsh në paqe Miço Papadhopulli!”

Lajme të tjera

Lajmet e fundit