Futbollisi i Lazio u shua në aksident, flet Tare: Lajmin e hidhur ma dha djali, dhimbje e pamasë

30 Mars 2021
13:10
Alfred Lleshi
back button

Fati i egër e mori të riun Daniel Guerini. Një djalë 19-vjeçar, që kishte ëndrra të pafundme bardhekaltër me vete. Ai po luante me të rinjtë e Lazio, por një aksident automobilistik ishte fatal për të. Lajmi e ka tronditur të gjithë mjedisin e Lazio dhe më gjerë. Drejtori sportiv, Igli Tare, duke folur për “Radiosei”, e kujtoi kështu “Guero”: “Djali im ma dha lajmin e hidhur. E kishte shok të ngushtë. Natën e aksidentit, djali zbriti në dhomën time dhe më tha çfarë kishte ndodhur. Në fillim mendova se ishte një shaka, ai më kërkoi të pyesja për konfirmim.

U interesova dhe kështu ishte. Një tragjedi. Humbja e jetës në moshën 19 vjeç ju lë pa fjalë. Unë telefonova familjen të nesërmen, ngushëllova nënën e tij. I gjithë ekipi ishte i lidhur me të, po flasim për një lojtar, që bënte shumë shaka në një grup të ngushtë. Disa e kishin njohur atë prej një kohe shumë të gjatë. Për mua, këto ishin ditët më të këqija të jetës. Një dhimbje e pamasë dhe e padurueshme. Me heshtje u përpoqëm të reflektonim. Këto janë momente vërtet të vështira”.

Tare vijon me kujtimet për Guerini: “Një lojtar me talent të madh teknik, një mesfushor-sulmues, sulmues i dytë, pozicionohej majtas. I mungonte ajo gjëja shtesë, por kishte aftësi. Me durim mundi t’ia dalë. Shkoi në Torino, më pas te Spal, Fiorentina dhe përsëri te “granatat”. Ëndërronte të kthehej te Lazio dhe ne ia përmbushën si dëshirë. Sidoqoftë, fati i keq ia ndërpreu këtu ëndrrat. Jemi shumë të pikëlluar”. 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit