Gafa e Strakoshës shkrin së qeshuri turqit. Edhe Fatih Terim “mban barkun me dorë”…

17 Shtator 2021
10:07
Alfred Lleshi

Galatasaray kaloi në avantazh kundër Lazios, në ndeshjen e parë të fazës së grupeve të Ligës së Evropës, falë një autogoli foshnjarak të Strakoshës. Portieri shqiptar, i aktivizuar papritur nga Sarri mes shtyllave në vend të Reinës, u bë protagonist i një gafe qesharake. Në zhvillimin e një krosimi nga e djathta, Lazzari e ngriti topin në ajër, me “sferën” që ngadalë shkoi në duart e portierit bardhekaltër.

Në atë moment dukej si lojë fëmijësh. Në vend që ta zotëronte topin dhe të niste shpejt aksionin e të tijve, Strakosha bëri një rrëmujë të jashtëzakonshme. Ai nuk ishte në gjendje as ta devijonte topin jashtë kuadratit, ndaj e shtyu me duart e veta në rrjetë. Moment sa tragjik për Lazio, aq edhe qesharak për turqit.

Fatih Terim, i kapur nga kamerat, qeshi me të gjithë stafin nga stoli i tij me gabimin e portierit të Lazios. Portieri i kombëtares kuqezi, megjithatë u ngushëllua menjëherë nga përqafimi i Milinkovic-Savic dhe shokëve të skuadrës.

Strakosha e kishte humbur vendin e titullarit qysh sezonin e kaluar me Simone Inzaghi në stol. Portieri shqiptar kishte dëmtuar gjurin në shkurt 2021, kohë kur Reina i zuri vendin deri në fund të sezonit. Megjithë disponueshmërinë e Strakoshës, Simone Inzaghi më pas vendosi ta përfundojë kampionatin me spanjollin mes shtyllave, i konfirmuar edhe nga Sarri në këtë sezon të ri me Lazion.

 

 

 

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit