Gafa që mund t’i kushtojë titullin Interit, Julio Cesar: Mos e fajësoni Radu, sepse…

19 Maj 2022
8:14
Alfred Lleshi
back button

Edhe pak ditë për të vendosur se kujt do t’i shkojë tituli i kampionatit italian 2021-22. Milani dhe Interi do të luajnë përkatësisht kundër Sassuolos dhe Sampdorias. Kuqezinjve iu duhet vetëm një pikë, por shpresa e zikaltërve është ende atje. Këtë e vërtetojnë fjalët e ish-portierit Julio Cesar, i cili ka thënë për “Goal”:

“Ne e dimë se Milani ka një mundësi të madhe, por do të jetë e vështirë për të dyja skuadrat deri në fund. Ata e dinë se nuk mund të humbasin pikë tani. Si një tifoz zikaltër, shpresoj që Interi të shtojë titullin e dytë radhazi. Do të ishte vërtet diçka fantastike”.

Kapitulli i portierëve me Handanovic, Onanën, por edhe një pasazh për atë që ndodhi me Radu, në gabimin e rumunit ndaj Bologna, që mund të rezultojë fatal për titullin: “Onana është ende tek Ajax, kështu që nuk do të flas për të derisa të vijë.

Handanovic bëri historinë e klubit, është kapiteni dhe më zëvendësoi mua tek Interi, duke bërë gjëra të mëdha. Ai është një portier i jashtëzakonshëm. Fatkeqësisht, Radu e bëri atë gabim në Bologna.

Ai është i ri, por nëse luan tek Interi, është sepse e meriton të jetë aty. Duhet të kenë besim tek ai dhe të vazhdojë të luajë, sepse vetëm kështu do të bëhet më i fortë se më parë. Çdo gabim të lejon të përmirësohesh. E dimë që ka gabuar në një moment të rëndësishëm në Serie A.

I gjithë kampionati e ka sjellë Interin në këtë pikë, ndaj tifozët dhe klubi nuk duhet të fajësojnë një portier. Kështu është futbolli, kërkohen heronj dhe zuzarë, fatkeqësisht kështu është gjithmonë në sport”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit