Në sport shpesh përdoret motoja “rëndësi ka pjesëmarrja”. Gjithsesi, edhe kjo moto ka një limit, sidomos kur rezultati në garë është jashtëzakonisht zhgënjyes. Kjo ka ndodhur me Ministrin e Sportit dhe Rinisë në Somali, Mohamed Barre, që ka qenë i indinjuar nga gara e një atleteje somaleze, Nasra Ali Abukar. Nëse është vërtet një atlete.
Në bateritë e garës së 100 metrave, në Universiadën që po zhvillohet në Kinë, atletja somaleze u rendit e fundit në baterinë e saj, duke dhënë kohën 21”81. Bëhet fjalë për rezultatin më të dobët në historinë e këtij eventi dhe koha e atletes është 10 sekonda më e lartë se e atletes që fitoi baterinë, brazilianes Silva Mouraro, 11”58.
Paraqitja e atletes 20-vjeçar Abukar, që garoi edhe me shami në kokë, është cilësuar si e turpshme nga qeveria, jo vetëm për sportisten por edhe për vetë vendin. Video që tregon garën e somalezes është bërë virale në rrjetet sociale. “Ajo që ndodhi nuk ka lidhje me komunitetin tonë”, tha Ministri somalez i sportit.
“Më vjen keq, i kërkoj ndjesë popullit somalez. Kërkoj sqarime se përse kanë përzgjedhur sportistë të papërshtatshëm për këtë event. Do ta gjej përgjegjësin e këtij skandali”, tha MInistrit i sportit somalez, Mohamed Barre.
Ai ka nisur nje hetim për këtë çështje për të zbuluar kriteret e përzgjedhjes së sportistëve. Hijet më të mëdha të dyshimit bien me zv.presidentin e Federatës Somaleze të Atletikës, pasi atletja që garoi është mbesa e tij.