Gati për luftë, Laçi “kërcënon” Tiranën para finales së madhe

21 Maj 2019
10:19
Eraldo Harlicaj
back button

Ndeshja më e nxehtë e javës, brenda dhe jashtë fushe është ajo ndërmjet Laçit dhe Tiranës. Kurbinasit presin bardheblutë në Laç, aty ku mund të ndahet njëherë e mirë mbijetesa dhe pjesëmarrja në Europë. Vendasit luajnë për të siguruar sërish pjesëmarrjen europiane, ndërsa miqtë për të mos rënë nga kategoria. 

Aleanca apo tolerime? Jo, asnjë shans. Palët kanë patur përplasje të forta dhe jashtë fushe. Nuk harrohet ndeshja e Kupës së Shqipërisë kur drejtuesit e klubeve u përplasën dhe fizikisht dhe përfunduan në polici. 

Klubi kurbinas ka lëshuar një "kushtrim" përpara sfidës. Ata shkruajnë se kanë miliona arsye për të fituar që tregon dhe njëherë se sa i nxehtë është ky takim vendimtar për fatet e sezonit. 

Njoftimi i Laçit – "Finalja e radhës, Laçi-Tirana. E diel, ora 16:30, hyrja falas. Rikthehemi në shtëpi, rikthehemi aty ku duhet të jeni edhe ju, e fundit ndeshje në shtëpi për këtë sezon. Luajmë kundër Tiranës, arsyet për të fituar janë me miliona dhe më kryesorja për ju dhe objektivin që kemi! Ta mbyllim me fitore dhe së bashku mund t’ia dalim! E treguam në Kupë, ku dhamë gjithçka! Këtë herë na mjafton të fitojmë dhe ju ftojmë të jeni sërish krah nesh, të bëni atë që bëni zakonisht dhe në fund të festojmë! Japim gjithçka në fushë t’ju bëjmë të lumtur, ndaj mos mungoni! Para Laçi!”, shkruhet në njoftimin e klubit kurbinas. 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit