Gattuso në hall, mbrojtësi më në formë mungon gjatë

23 Janar 2019
10:29
back button

Në pritje që të zyrtarizohet blerja e sulmuesit polak Piatek nga Genoa, Milani merr një lajm të keq nga infermieria.

Fitorja ndaj Genoa-s në Marassi pati koston e vet, sepse u dëmtua qendërmbrojtësi Cristian Zapata.

Kolumbiani ka qenë lojtari më në formë në prapavijën e Milanit në muajt e fundit, duke bindur Gattuso-n që ta gradonte titullar dhe klubin që t'i ofrojë një kontratë të re në javët e ardhshme, pasi mbrojtësi del i lirë në treg këtë verë. 

Kontrollet mjekësore kanë evidentuar një dëmtim në muskulin e kofshës së djathtë dhe parashikimet një mungesë 3-4 javore.

Fillimisht Zapata do të bëjë pushim absolut për dy javë, informon klubi kuqezi, ndërsa më pas do të zhvillohet një vizitë tjetër, për të vlerësuar kohën e nevojshme për riaftësim.

Prej kohësh Zapata formonte dyshen e qendrës me Romagnoli-n, ndaj tani Gattuso është i detyruar të kthejë në formacion Musacchio-n, duke shpresuar të mos ketë dëmtime të reja, sepse nuk ka më alternativa, duke pasur parasysh që edhe Caldara mungon prej kohësh.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit