“Gazzetta dello Sport”: Nga Cana te Muriqi, kur Tare peshkon në Shqipëri (dhe Kosovë)

11 Shtator 2020
13:34
Alfred Lleshi
back button

“Gazzetta dello Sport” iu ka kushtuar një shkrim sot shqiptarëve të Lazio. Pikë referimi është Igli Tare, drejtori sportiv bardhekaltër, i cili sipas prestigjiozes sportive italiane ka bërë “gjueti” në atdheun e tij. Dhe për ta bazuar këtë konkluzion rendit emrat e Lorik Canës, Thoma Strakoshës, Valon Berishës dhe Vedat Muriqit:

“Drejtori sportiv bardhekaltër iku natën nga vendi i tij, nëpër pyje. Meqenëse ka një rol drejtuesi në kryeqytet (Romë), ai gjithmonë është përpjekur t’u japë një shans bashkëkombasve të tij. Ndonjëherë kishte sukses, ndonjëherë jo. Duket si një roman, por është realitet i jetuar. “Kur isha 17 vjeç, mbërrita në Gjermani nga Shqipëria. Në një natë të ftohtë dimri, midis pyjeve dhe borës, kalova kufirin çeko-gjerman duke paguar 800 euro”, – e ka përshkruar Igli Tare “arratisjen” nga Shqipëria. Ai kishte vetëm një valixhe me vete, brenda së cilës nuk mungonin ëndrrat për një jetë më të mirë, uria për topin. Tare iku nga vendi i tij sepse shembja e komunizmit ndryshoi gjithçka dhe sepse shumica e parave që fitoi duke luajtur futboll zhdukeshin nga inflacioni…”

Më tej, “Gazzetta dello Sport” i merr me radhë shqiptarët, që kaluan përmes Lazio, duke nisur nga vetë Igli Tare i pari, i suksesshëm edhe si futbollist, në rolin aktual po e po; pastaj Lorik Cana, ish-kapiteni i Shqipërisë, që la gjurmët e tij në “Olimpico”, Valon Berisha, kalimtar te bardhekaltrit, dhe Strakosha, titullar i padiskutueshëm i portës së kryeqytetasve.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit