Gega: “Humbje e madhe pa tifozë. Ka kohë për kontratë dhe merkato”

12 Dhjetor 2018
12:13
back button

Partizani e ka zhvilluar që sot konferencën e zakonshme për shtyp para sfidës delikate kundër Kukësit të premten, në "Selman Stërmasi", pasi në dy ditët në vazhdim skuadra do të qëndrojë e grumbulluar në Elbasan.

Para mediave janë shfaqur trajneri Skënder Gega dhe sulmuesi Rubin Hebaj, heroi i derbit në ndeshjen e fundit luajtur në Tiranë.

Për Gegën ndeshja kundër Partizanit nuk është vendimtare, por e pranon që është sfidë shumë delikate, edhe për faktin se do të mungojnë tifozët.

Ndryshe nga java e shkuar, Gega ishte shumë i qetë dhe nuk pati deklarata të forta, ndërsa për merkaton paralajmëroi se do të ketë afrime vetëm nëse gjenden lojtarë vërtet cilësorë.

Teuta: "Ishte ndeshje shumë e luftuar, me emocione, që la shije të mirë si ndeshje. Morëm atë që na takonte, edhe pse kishim shkuar për fitore. Gjithsesi, jam jashtëzakonisht i kënaqur, sepse e nisëm jo mirë, por ekipi tregoi karakter".

Mungesat: "Çdo mungesë rëndon. Asani është në rrugën e duhur. Nuk është perfekt, natyrisht, por ka një kontribut të jashtëzakonshëm".

Më e vështirë, Kukësi apo Teuta? "Ndeshja e radhës është gjithnjë më e vështira. Me Teutën morëm 4 pikë në dy ndeshje, kemi analizuar gjithçka dhe mendojmë për Kukësin, ndeshje shumë e vështirë. Kemi përballë një ekip mjaft cilësor, e respektojmë, por e dimë forcën tonë dhe do të mundohemi të korrigjohemi ku kemi probleme".

Matematika për titull: "Nuk e vendos dot para ndeshjes nëse do luajmë për barazim apo fitore. Ne do të luajmë me kujdes, por me synim për të marrë maksimumin. Rezultati pastaj del në fushë, nuk vendoset më parë".

Kontrata e re: "Kam një marrëveshje për të dhënë kontribut, për të treguar që mund të jap diçka që të përmirësojmë gjërat. Deri tani jam jashtëzakonisht i kënaqur, jam krenar për lojtarët dhe për punën që po bëjmë. Kur të vijë momenti, do të mendojmë për të tjerat".

Merkato: "Kemi Kukësin dhe Luftëtarin përpara, dy ndeshje shumë të rëndësishme. Më pas do mendojmë për merkaton. Nuk duam të largojmë lojtarë, por edhe afrimet do bëhen me qetësi e pjekuri, nuk do marrim lojtarë që nuk e meritojnë. Klubi është në dispozicion dhe nuk do kursehet".

Dervishi dhe deklarata se Gega është me fat që ka një klub të organizuar nga pas: "E njoh Partizanin shumë para Dervishit, në vitin 1983, e di forcën dhe dashamirësinë në këtë klub, ku secili e di rolin e vet. Jam trajner i parë i Partizanit dhe meritat nuk mbahen nga një person, ndahen me të gjithë".

Hila dhe sherri me Osmanin: "Janë shumë gjëra që nuk thuhen në konferencë, ka shumë biseda, gjatë e pas ndeshjes. Nuk mbështet asgjë që dëmton ekipin. Hila është lojtar me ego, e do këtë fanellë dhe është i ndërgjegjshëm, pastaj kush goditi kë u pa në pamjet filmike. Deri tani nuk kemi pasur asnjë sinjal apo njoftim nga Disiplina, por klubi ka përfaqësuesit e vet që merren me raportet me Disiplinën. Unë e llogaris Hilën pjesë të ekipit për ndeshjen e radhës dhe shpresoj të luajë".

Pa tifozë, avantazh për Kukësin? "Do jetë ndeshje e qetë, do dëgjohen më mirët zërat e trajnerëve. Shpresoj që të dyja palët të tregojnë sa vlejnë në fushë dhe secila palë të marrë atë që i takon. Për ne është humbje e madhe të luajmë pa tifozë, u pa vlera e tyre edhe në Durrës, ku sakrifikuan dhe erdhën e na mbështetën, pa pushuar për 90 minuta. U jemi mirënjohës dhe borxhlinj, e dimë sa kanë sakrifikuar, edhe financiarisht".

Javët e fundit lojtari që del në konferencë për shtyp rezulton vendimtar: "Nuk është çështje hajmalie, kam pasur shumë lojtarë në krah, edhe me kontribut më të madh e me eksperiencë se Hebaj, por i kemi humbur ndeshjet. Hebaj është i rëndësishëm për ne, sapo ka ardhur te Partizani, është vetëm 20 vjeç, është profesionist dhe po punon shumë për të shkuar sa më lart. Jam i kënaqur që e kam në krahun tim".

Telesport është krenar që bashkëpunon me Krowd9, një aplikacion fantastik i futbollit për shqiptarët! Shkarkojeni > bit.ly/krowd9 për video me përmbledhje ndeshjesh, njoftime të menjëhershme për golat dhe të gjitha lajmet e Telesport! Krowd9 është i përdorshëm në shqip, italisht dhe anglisht.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit