Gega në tension, tre lojtarë rrezikojnë sfidën ndaj Kukësit

19 Mars 2019
9:24
back button

Futbolli i klubeve është mbyllur duke i lënë vend ndeshjeve të kombëtareve, por për Partizanin dhe trajnerin Skënder Gega llogaritë për rrugën drejt titullit kampion vijojnë edhe në këto ditë pushimi.

Menjëherë pas ndeshjeve të kombëtareve, Partizani do të përballet me Kukësin në transfertë. Një ndeshje delikate që mund të përcaktojë fatin e kampionatit. 

Gjithsesi për këtë sfidë që do të zhvillohet në fund të muajit mars Gega duhet të bëjë llogaritë për tre lojtarë që ka të dëmtuar aktualisht. Para ndeshjes me Teutën u zyrtarizua mungesa e Jurgen Bardhit dhe e Rubin Hebajt, ndërsa në fund të pjesës së parë probleme pati edhe Bruno Telushi.

Bardhi – Sulmuesi ka probleme me rrëzat e kofshës dhe koha e rikuperimit pritet të jetë e shkurtër. Gjithsesi ai mbetet në dyshim për ndeshjen ndaj Kukësit dhe gjendja e tij do të vlerësohet ditë pas dite.

Hebaj – Shkodrani ka dëmtim më të rëndë se Bardhi. Sulmuesi ka tërheqje muskulore dhe koha e rikuperimit të tij vlerësohet të paktën në tre javë, që do të thotë se ai nuk do jetë ndaj skuadrës verilindore. 

Telushi – Mesfushori shënoi ndaj Teutës, duke shkuar në shifrën 6 golave këtë sezon, por në fund të pjesës së parë një përplasje e fortë e detyroi të lërë lojën dhe të shkojë direkt në spital. Pas kontrolleve të detajuara rezultoi se Telushi kishte ar në mushkëri, si pasojë e përplasjes. 

Për këtë ai do qëndrojë edhe ditën e sotme në spital, ndërsa rikuperimin do e vijojë në shtëpi për të paktën 10 ditë. Vlonjati pritet të jetë në listë për ndeshjen ndaj Kukësit, por edhe gjendja e tij do të vlerësohet ditë pas dite për të mos rrezikuar një dëmtim më të rëndë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit