Gega prezantohet te Kukësi: Ky ekip, më i kompletuar se Partizani im kampion

3 Gusht 2020
11:51
Alfred Lleshi

Kukësi ka prezantuar sot trajnerin e ri, Skënder Gega. Ka qenë drejtori sportiv i verilindorëve, Nderim Nexhipi, aq që ka thënë fjalën hyrëse të konferencës për shtyp, për t’ia lënë pastaj “skenën” trajnerit që shpalli kampion Partizanin pas 26 vitesh. Tropojani, që ka drejtuar edhe Shqipëria U-21, e di mirë se çfarë kërkon presidenti Safet Gjici, ndaj i ka marrë parasysh të gjitha:

“Kam biseduar dy herë me Kukësin dhe dëshira ka qenë e përbashkët. Jam gati për këtë sfidë, nuk kam premtuar asgjë. Kontrata ime është 1-vjeçare dhe do të bëj më të mirën. Ambiciet e klubit nuk janë sekrete. Do të bëjmë më të mirën për t’ia dalë. Akoma nuk ka nisur puna. Do t’i marrim gjërat një e nga një. Do të kërkojmë të bëjmë paraqitje dinjitoze, por edhe të mendojmë për kalimin e turit në Kupat e Europës. Nuk mendoj se duhet të flasim për kontratën time pas një viti. Nuk flas sot për fatin tim. Do të punoj si te Partizani, me të njëjtin përkushtim.

Merkatoja? Klubi do të angazhohet për zhbllokimin e saj. Nuk kam preferenca për emrat, shoh vetëm anën teknike të gjërave kur bëj përforcime. Lojtarët do vijnë me miratimin tim. Kukësi ka kualitet dhe nuk është e thënë të shoh nga Partizani, pse e kam drejtuar atë më parë. Sfida jonë është në stërvitje, duhet parë gjithçka me optimizëm.

Sezoni që u mbyll? Kukësi ishte rival i Tiranës, që doli kampione me meritë. Sivjet kanë luajtur të rinj në disa ekipe, diçka e mirë. Është pozitive që po luajnë të rinj, kurse “Air Albania” i ka dhënë një imazh të ri futbollit shqiptar. Ne do të luajmë aty, derisa të përfundojë stadium i ri në Kukës. Nuk më takon ta bëj unë analizën e sezonit që u mbyll, por diçka ka munguar. Do t’i pyes lojtarët, do të flas me ta. Po shohim për elementë cilësorë edhe te moshat. Jam ambicioz dhe do bëj të pamundurën që gjërat të shkojnë sa më mirë. Kam besim, së bashku do t’i arrijmë objektivat.

Largimet nga Kukësi? Klubi besoj se i ka vlerësuar për bashkëpunimin. Dua të shikoj përpara, nuk kemi shumë hapësira të mëdha për përforcime. Do t’i kompletojmë ato pak hapësira që kanë mbetur. E keni parë edhe vetë, Kukësi ka punuar mirë, ka kualitete, por të shikojmë me qetësi përpara. Asnjë person që është nën kontratë në kampionatin tonë, kurrë s’e kam çuar në mendje ta kontaktoj.

Kupa e Europës? Nga paraqitja e një viti me Partizanin me Mariborin kam mësuar shumë. Championsi dhe Liga e Europës të japin leksion tjetër. Jam më optimist, sepse ky ekip është më i konsoliduar sesa Partizani vjet. Do të punojmë fort, nuk mund të planifkojmë sot. T’i shohim gjërat me optimizëm dhe avash-avash”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit