Gerrard del hapur: Duam ta ndalim Manchester City me gjithçka që mundemi

20 Maj 2022
9:29
Alfred Lleshi

Steven Gerrard e ka quajtur sezonin 2021-2022 të papranueshëm për Aston Villa, edhe pse lojtarët bënë një xhiro festive rreth “Villa Park”, pas ndeshjes së tyre të fundit sezonale në shtëpi, të enjten. Barazimi 1-1 me Burnley-n e kërcënuar për rënie nga kategoria i dha fund të vakët sezonit në “West Midlands”.

Ndërsa trajneri tha se tifozët e meritonin gjestin pozitiv nga lojtarët, pas ndeshjes, ai gjithashtu u zotua se do të shtynte për paraqitje më të mira në të ardhmen:

“Ne jemi të 14-tët në Premier League dhe sapo kemi dhënë një xhiro nderi, tifozët tanë ishin të jashtëzakonshëm. Duhet shikuar përpara, ky klub nuk mund të përfundojë sërish në vendin e 14-të. Ne duhet t’i ndryshojmë gjërat dhe të kthehemi më të fortë në sezonin e ardhshëm”.

Ish-kapiteni i “Reds” ka në dorë fatin e Liverpool-it në ndeshjen e fundit. Pra, nëse Aston Villa ia del ta ndalojë Manchester City qoftë edhe me një barazim në ndeshjen e fundit të kampionatit, skuadra e Jurgen Klopp fiton titullin.

Gerrard del hapur në ambicien që ka: “Ne do të përpiqemi të japim maksimumin, duam t’i bëjmë tifozët tanë krenarë në ndeshjen e fundit të sezonit. Kemi pak kohë për t’u përgatitur për ndeshjen e Manchester City, por do të përpiqemi ta bëjmë sa më të vështirë për kundërshtarin. Do të luftojmë me gjithçka që mundemi”.

Gerrard iu bashkua klubit në mes të sezonit, në nëntor, dhe e ka udhëhequr Aston Villa drejt largimin nga zona e rrezikshme e mbijetsës. Megjithatë, duket qartë se ka punë për të bërë për ta përmirësuar pozicionin në sezonin e ardhshëm.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit