Kategoria Superiore

Gilman Lika: Ja arsyeja e largimit tim nga Vllaznia

Paraditen e sotme futbollisti Gilman Lika ka tërhequr lejen e kalimit nga klubi Vllaznia, duke qenë tashmë futbollist i lirë. Megjithatë, kjo gjë nuk do zgjasë shumë, sepse ditën e nesërme mendohet që mesfushori 28-vjeçar të firmosë për ekipin e Tiranës. Në një prononcim për “telesport.al”, ai ka shpjeguar edhe arsyen e largimit nga kuqeblutë, duke kërkuar një mirëkuptim edhe nga ana e tifozëve të kësaj skuadre.

 

“Arsyeja? Besoj se edhe ju, por të gjithë tifozët e Vllaznisë e kanë të qartë situatën që po kalon Vllaznia. Dhe duke parë këtë situatë, mendova se më e arsyeshmja ishte që të gjeja një ekip tjetër dhe kështu veprova. Jo vetëm unë, por edhe të tjerë futbollistë janë larguar dhe po largohen dhe në këtë mënyrë, kjo ishte zgjidhja më e mirë ndoshta. Sa u takon tifozëve, e kam të qartë se ata nuk e kanë pritur mirë këtë largim timin. Kuptohet që nuk rri shumë në internet dhe në rrjetet sociale për të lexuar ato çfarë shkruhen për mua, sepse mund të jenë të zemëruar, por në këtë situatë, të rri e të justifikohem është e kotë, sepse e di që shumica e tyre s’kanë për të më kuptuar”– ka thënë ai.

Gilman Lika, ish-kapiteni bardheblu, synohet të rikthehet te skuadra e Tiranës

Gilman Lika, ish-kapiteni bardheblu, synohet të rikthehet te skuadra e Tiranës

Lika, ndërkohë i pyetur për të ardhmen e tij, ka lënë të kuptohet se është shumë pranë Tiranës dhe arsyet janë dy pse mund të zgjedhë këtë ekip: një borxh i kaluar, si dhe objektivi i tij për të qenë pretendent në sezonin e ri. “Siç mund ta keni marrë vesh edhe përmes gazetave, me drejtuesit e Tiranës është biseduar dhe është rënë dakord që ata të më shlyejnë borxhin që më kanë, ndoshta jo krejt, por të paktën në masën 70-80 % të vlerës së tij. Kjo do të thotë se jam shumë pranë Tiranës, por nuk mund të them me 100 % se është e sigurtë, sepse kështu do jetë vetëm kur të firmoset kontrata. Një gjë është e sigurtë: Nëse Tirana më shlyen borxhin, unë do firmos me të, ndryshe jo.

 

Një tjetër arsye pse mund të zgjedhë këtë ekip, janë objektivat që ai ka. Duke parë që në ekip kanë ardhur 2-3 futbollistë cilësorë dhe sipas asaj që më ka thënë presidenti, do të bëhen edhe 2-3 të tjera dhe kësisoj me këtë kontigjent lojtarësh, besoj se sezonin e ri do bëhet diçka e mirë me Tiranën”– përfundon Lika, i cili ka folur, ka dhënë arsyet e tij dhe natyrisht që ka vendosur vetë për të ardhmen e tij. Kuptohet, duke lënë të pakënaqur drejtuesit e Vllaznisë, por edhe tifozët e saj të shumtë, të cilët pavarësisht çdo justifikimi të lojtarit, janë zhgënjyer me sjelljet e tij.

Burimi: Gjergj KOLA (korrespondent në Shkodër)

[total-poll id=45708]

Më shumë nga Kategoria Superiore