Giroud ndien presionin: E di, Werner nuk vjen për të qëndruar në pankinë

30 Korrik 2020
12:38
Alfred Lleshi
back button

Olivier Giroud ka pranuar që Timo Werner nuk është blerë nga Chelsea që të qëndrojë në pankinë, por përqafon rivalitet shtesë në sulmin e bluve, ku bën pjesë edhe ai. Chelsea njoftoi blerjen prej 47.5 milionë £ për nënshkrimin e gjermanit nga RB Leipzig më 18 qershor. Werner nënshkroi një kontratë 5-vjeçare në “Stamford Bridge” dhe pritet të futet direkt në formacionin titullar të Frank Lampard sezonin e ardhshëm.

Chelsea shpreson se një sulmues që shënoi 95 gola në 159 ndeshje për Leipzig mund të jetë po kaq i frytshëm edhe në Premier League. Sidoqoftë, ardhja e tij mund ta dërgojë Giroud dhe Tammy Abraham në stol. Abraham e përfundoi sezonin si golashënuesi më i mirë i Chelsea në Premier League, me 15 gola, ndërsa Giroud ka shënuar 7 gola në të gjitha garat, që nga rifillimi i sezonit në qershor.

Edhe pse Giroud është i vetëdijshëm se minutat e aktivizimit do të jenë më të vështira pas ardhjes së Werner, ai është i bindur se do të mbetet një opsion i mirë për Lampard, për shkak të aftësisë së tij për të mbajtur topin në 1/3 e fundit të fushës. 33-vjeçari i tha “L’Equipe”: “Kur skuadrat luajnë në mënyrë mbrojtëse kundër nesh, nuk është keq të kesh një sulmues të gjatë si unë, që mund të bëjë lidhjen. Por, unë nuk jam naiv. Werner nuk është rekrutuar që të qëndrojë në pankinë. Gjithsesi unë do të bëj gjithçka mundem, ta bëj me dhimbje koke trajnerin kur bëhet fjalë për të bërë zgjedhjet e tij.

Transferimi i Werner është një motiv shtesë. Chelsea është një klub i shkëlqyeshëm, që harxhon para për të forcuar skuadrën. Edhe unë prisja që dikush të vinte. Kam akoma një vit kontratë këtu. Nëse qëndroj këtu, kjo është diçka e mirë. Përndryshe, do të jetë një sfidë tjetër. Pesonalisht mund të luaj në një ligë të mirë edhe për dy vite”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit