“Gjeni emrat e 5 kapitenëve”, kush i përgjigjet saktë Hysen Zmijanit

21 Prill 2020
16:00
Alfred Lleshi
back button

Në këtë kohë pandemie globale, që ka detyruar njerëzimin të karantinohet në shtëpi, edhe futbolli bëhet nostalgjik. Mungesa e aktualitetit, i ndeshjeve në fushat e blerta, i emocioneve të stadiumeve plot, mundohet të “flasë” nga izolimi përmes kujtimeve të bukura të së shkuarës. Nië këshillë kjo, për të mbajtur larg ankthin e stresin e ditëve të tilla të zymta, që këshillohet edhe nga psikologët. 

Natyrisht, Hysen Zmijani, legjenda e futbollit shkodran dhe atij kuqezi, ish-kapiteni i shquar i Vllaznisë, nuk ka pasur një qasje të tillë psikologjike, kur ka publikuar disa foto në faqen e tij të Facebook-ut, por me siguri ka dashur të rikthejë në vëmendje kohët e arta, kur stadiumet mbusheshin plot e përplot, sipas shprehjes së famshme të komentatorit të shquar sportiv, Ismet Bellova, “nuk ke ku të hedhësh as kokrrën e mollës”. 

Pamje të tilla t’i mundësonte rregullisht Shkodra, qyteti futbolldashës shqiptar, vendlindja e këtij sporti në vendin tonë. “Loro Boriçi” ishte përherë mitiku, ku donin të luanin sa më shpesh edhe udhëtuesit, sepse aty, si askund tjetër, duartrokitej edhe kundërshtari, kur luante bukur. Në fakt, Zmijani ka pasur një ftesë për tifozët shkodranë, që të gjejnë se me cilët ish-kapitenë skuadrash mysafire ka dalë në foto… Ne po e zgjerojmë spektrin e një “fjalëkryqi” të tillë, duke kërkuar nga lexuesit e “Telesport” jo vetëm emrin e kapitenëve në foto me Hysen Zmijanin, në fotot e publikuara prej tij, por edhe të gjyqtarëve kryesorë. 

Bëhet fjalë për emra të mëdhenj me të dyja “kostumet”, ndaj “ekuacioni” nuk është i vështirë për t’u zgjidhur. Ja mesazhi i Hysen Zmijanit, përkrah fotove shoqëruese për “dekriptim”: “Kujtime të bukura, stadiumi plot me spektatorët shkodranë, që kanë kenë dhe janë mbretërit, me tribunën përballë si të montuar. Këto foto i gjeta në arkiv. Janë katër ndeshje të ndryshme, të jashtëzakonshme, por të vërteta. Nuk e vë në dyshim që për 5 kapitenët e ekipeve mike, shkodranët të gabojnë në gjetjen e emrave të tyre”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit