Gjermania nuk do të jetë më ‘Die Mannschaft’: arsyeja

2 Gusht 2022
9:17
Denis Hakanaj

Gjermania ka vendosur të braktisë emrin “Die Mannschaft”, “Skuadra” për kombëtaren e saj të futbollit, duke thënë se ky term mund të jetë i njohur jashtë vendit nga njëra anë, nga tjetra është kritikuar disa herë.

Emri është përdorur për herë të parë zyrtarisht pasi Gjermania ka fituar Kupën e Botës për herë të katërt në histori, në Brazil 2014.

Por një eliminim në fazën me grupe të Kupës së Botës 2018 dhe një në 1/8-at e Europianit të kaluar nuk kanë ndihmuar në forcimin e markës mes tifozëve gjermanë të zhgënjyer.

Funksionarët e futbollit gjerman, duke përfshirë edhe administratorin e deleguar të Borussia Dortmund, Hans-Joachim Watzke, kanë thënë se ishte një mungesë respekti ndaj skuadrave të tjera kombëtare të quheshin “Skuadra” dhe se ky term ishte shumë arrogant.

Një sondazh i kohëve të fundit ka treguar se tashmë kishte ardhur koha të braktisej termi, ka pohuar presidenti i DFB Bernd Neuendorf:

“Sipas sondazheve dhe analizave, emri ‘Die Mannschaft’ njihet shumë veçanërisht jashtë Gjermanisë, ku përfaqëson shpirtin e skuadrës dhe suksesin”, ka thënë Neuendorf në një komunikatë zyrtare.

Megjithatë, drejtuesi ka shpjeguar se “Është edhe një fakt se mes tifozëve në këtë vend shihet në mënyrë shumë kritike dhe krijon debat”. Prej këtu është marrë vendimi për ta braktisur, shtatë vite pas krijimit.

Gjermania do të jetë protagoniste në Botërorin e ardhshëm që do të zhvillohet në Katar mes nëntorit dhe dhjetorit të këtij viti.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit