Gjermania shkarkoi Flick, Gundogan bën premtimin e madh

12 Shtator 2023
12:00
Denis Hakanaj
back button

Humbja e rëndë e Gjermanisë ndaj Japonisë në një ndeshje miqësore, të cilën e humbi me rezultat 4-1, detyroi Federatën Gjermane të shkarkojë trajnerin Hansi Flick, i konsideruar si përgjegjësi kryesor për këtë humbje dhe vështirësitë e kombëtares.

Trajneri gjerman ishte kritikuar ashpër nga shtypi dhe nga vetë drejtuesit e federatës pas eliminimit në fazën e grupeve të Botërorit të fundit në Katar.

Në mënyrë të përkohshme, stoli shkoi për Rudi Voeller, por ka të ngjarë që ish-trajneri i Bayern-it, Julian Nagelsmann, do të drejtojë gjermanët në Kampionatin Europian 2024, që do të zhvillohet në Gjermani.

Shkarkimi i Flick erdhi në mënyrë të papritur dhe disa lojtarë donin ta falënderonin. Një nga këta ka qenë Ilkay Gundogan. Lojtari i Barcelona-s ka dërguar një mesazh mbështetjeje dhe falënderimi për Hansi Flick pas shkarkimit të tij.

“Faleminderit për kohën e kaluar së bashku, respektin dhe bashkëpunimin reciprok, Hansi. Je një person dhe trajner fantastik. Është një turp i vërtetë që si skuadër nuk mund t’a kthenim besimin e madh që kishe te ne!

“Si ekip do të vazhdojmë të punojmë për t’u rikthyer më të fortë dhe për të fituar një kampionat europian në tokën tonë në vitin 2024, edhe për ty! Të uroj vetëm më të mirën për të ardhmen!”, përfundoi mesfushori.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit