Gjimshiti operohet në parakrah, Atalanta jep lajmin e keq për mbrojtësin kuqezi

11 Tetor 2021
15:14
Alfred Lleshi

Nuk ka asnjë lajm ngushëllues për gjendjen e Berat Gjimshitit. Situata në fakt është më serioze nga sa pritej, aq sa mbrojtësi qendror shqiptar duhej t’i drejtohej operacionit, pas frakturës së parakrahut që e pësoi gjatë ndeshjes me kombëtaren kuqezi ndaj Hungarisë.

Përmes një deklarate për shtyp, Atalanta ka bërë me dije periudhat e rimëkëmbjes së mbrojtësit tonë kuqezi: “Lojtari Berat Gjimshiti iu nënshtrua një operacioni sot në mëngjes për të zvogëluar frakturën e zhvendosur të rrezes dhe ulnës së parakrahut të tij të majtë. Brenda pak ditësh, mbrojtësi zikaltër do të rifillojë stërvitjen. Koha e pritshme për t’u kthyer në fushë është afërsisht 30 ditë”.

Megjithëse nuk ka siguri për llojin e thyerjes (të zhvendosur ose të përbërë), operacioni ishte i nevojshëm si përpjekje për t’u shëruar nga ky lloj problemi në mënyrën më të mirë të mundshme. Gjimshiti theu parakrahun e tij të majtë dhe iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale sot në mëngjes.

Me operacionin, kohët e rimëkëmbjes janë më të gjata se ato që u menduan fillimisht. Me shumë mundësi do të duhet më shumë se një muaj “pit stop”, para se të shohim mbrojtësin e Atalantës në fushë. Të paktën 30 ditë janë planifikuar për shërimin e tij, me shpresën se do të jetë në gjendje të kthehet rregullisht pas pushimit, angazhimeve kualifikuese të kombëtare në nëntor, për ndeshjen e 20 nëntorit në shtëpi me Spezia.

Një mungesë aspak indiferente, që iu shtohet dëmtimeve të Gosens, Pessina dhe Hateboer. E thënë ndryshe, sipas parashikimeve të mjekëve, Gjimshiti do të mungojë edhe ndaj Anglisë (12 nëntor) e Andorrës (15 nëntor). Pra, kualifikueset e “Katar 2022” konsiderohen të mbyllura.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit