Gjoka, finale dhe solidarizim: “Na duhet oksigjen në renditje. Lëvizja e studentëve i bën mirë Shqipërisë”

8 Dhjetor 2018
14:27
back button

Kamza do të luajë një ndeshje me rëndësi jetike të dielën pasdite kundër Luftëtarit, një rival direkt për mbijetesë, që është më sipër në renditje, por që ka pasur jo pak probleme kohët e fundit dhe po përflitet për shpërbërje të ekipit në janar.

Gjithsesi, trajneri i Kamzës Ernest Gjoka sheh në shtëpinë e tij dhe nuk i zë besë krizës së Luftëtarit: "Në futbollin shqiptar gjërat nuk shkojnë gjithnjë mirë. Çdo skuadër ka krizën e vet. Në futboll ka pasur raste kur skuadrat që kanë probleme tregohen mjaft të rrezikshme. Ky për ne është mësim dhe jemi të përqendruar totalisht te ndeshja dhe te ajo që ne kërkojmë të bëjmë. Jemi të fokusuar që të arrimë suksesin me çdo kusht sepse kemi nevojë si oksigjen për ato pikë. Gara për mbijetesë do të jetë shumë e fortë dhe shumë e gjatë. Katër skuadrat do të luftojnë për marrjen e pikëve, ndaj vështirësia do të jetë shumë e madhe. Skuadra tregoi se ka mundësi dhe ka forcë ndaj një skuadre si Laçi, që është një ekip shumë i mirë, ndaj jam optimist".

Kamza nuk shënon prej disa javësh, por Gjoka nuk e sheh problemin te sulmi: "Nuk është vetëm sulmi që duhet të zgjidhë situatat, por skuadra duhet që ta çojë topin sa më shpesh në sulm, përmes një filozofie. Skuadra e Kamzës ka sulmues potencial dhe jemi të fokusuar që skuadra ta çojë sa më shpesh topin në sulm, që më pas sulmuesit të bëjnë detyrën".

Mbeten edhe tre ndeshje nga viti 2018, ndërsa më pas Kamza pritet të bëjë merkato: "Kemi një grup me lojtarë me cilësi dhe përvojë. Në kampionatin tonë këto dy gjëra janë të rëndësishme dhe skuadra e ka një bosht, që mund ta çojnë para Kamzën. Çdo skuadër ka nevojë për të sjellë lojtarë me cilësi. Ata që duhet të vijnë duhet të kenë më shumë cilësi se grupi aktual. Mos të harrojmë që merkato e janarit është shumë e varfër dhe duhet të kesh shumë fat që të kapësh ndonjë lojtar me cilësi".

Gjykimi është shqetësim për Gjokën, duke parë episodet e shumta jo në favor: "Uroj që gjykimi mos të jetë protagonist për rezultatin. Uroj që të marrim atë çka do meritojmë në fushë sepse nëse do të kem probleme do na vënë në vështirësi dhe do na nxjerrim ndonjë fjalë që nuk duhet ta themi".

Mungesa e tifozëve, tjetër problem: "Sigurisht që tifozi është boshti i një klubi futbolli, është paterica që e ndihmon një skuadër futbolli të ecë përpara. Ne kemi nevojë shumë për tanë. Sigurisht kanë njëfarë të drejte, pasi nuk motivohen të vijnë prej rezultateve tona. Por unë kam besim se do vijnë dhe të na mbështesin, por e kemi ne në dorë, duhet të dalim nga ky moment i vështirë dhe t’i kënaqi dhe mundësinë që të vijnë e të kënaqen në stadium".

Gjoka nuk ndalet vetëm te futbolli, sepse ka edhe një koment për zhvillimet e fundit në Tiranë, ku po zhvillohen protesta masive nga studentët: "Të gjithë jemi brenda kësaj vorbulle. Ne jemi pjesë e qytetarisë së kryeqytetit. Është një moment i vështirë për ne dhe kur shohim se studentët po japin një mesazh të madh se çfarë është demokracia. Kush ka veshë duhet të dëgjojë mirë dhe kush ka sy duhet t’i hapë mirë. Unë solidarizohem me ta dhe kemi nevojë për këtë lloj lëvizje kaq të madhe".

Telesport është krenar që bashkëpunon me Krowd9, një aplikacion fantastik i futbollit për shqiptarët! Shkarkojeni > bit.ly/krowd9 për video me përmbledhje ndeshjesh, njoftime të menjëhershme për golat dhe të gjitha lajmet e Telesport! Krowd9 është i përdorshëm në shqip, italisht dhe anglisht.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit