Gjoka kundër paranojave: Skënderbeu nuk lë ndeshje, Shehi nuk e dha kot dorëheqjen

20 Dhjetor 2018
12:36
Alfred Lleshi
back button

Nesër, në orën 13:30, do të luhet ndeshja hapëse e javës së 18-të të Kategorisë Superiore, mes Kamzës e Skënderbeut. Trajneri i Kamzës, Ernest Gjoka, ka dalë në konferencë për shtyp mesditën e sotme, duke bërë prognozën e duelit me kampionët në fuqi, por ka folur edhe për të ardhmen e skuadrës që drejton. Nga merkatoja, tek analiza e luftës për mbijetesë, duke komentuar edhe thashethemet e zakonshme për tolerime e trukime në Superiore.

MUNGESAT – “Që kur kam ardhur këtu si trajner, jam munduar të ndryshoj mentalitetin e skuadrës dhe të lojtarëve. Na duhej të krijonim besim te vetja dhe të ecnim përpara. Sigurisht, kishim disa probleme të vogla, siç kanë qenë dëmtimet e rëndësiëshme në skuadër. Nuk është e lehtë të mos kesh disa lojtarë, por po mundohemi t’i rikuperojmë. Sërish kemi dy mungesa, siç është Frashëri, me kartonë, dhe Mehmeti. 

SKËNDERBEU – "Skënderbeu është një skuadër për t’u vlerësuar, pavarësisht situatës që po kalon, me humbje në ndeshjet e fundit. Në radhët e korçarëve ka lojtarë me shumë potencial, që dinë të dalin nga situatat e vështira. E kemi studiuar Skënderbeun dhe mund të them se ka treguar nivel futbolli, i ka menaxhuar mirë ndeshjet, por ndoshta nuk ka pasur fat. Ne e kemi vlerësuar maksimalisht kundërshtarin, sepse duke bërë këtë, vlerësojmë veten tonë. Lufta jonë është shumë e madhe me skuadrat rivale, në fundin e renditjes. 

MBIJETESA – "Fitorja e Luftëtarit në Korçë e ashpërson më shumë garën për mbijetesë. Kuptohet, çdo skuadër bën luftën e vet, por ne i presim korçarët në fushën tonë dhe duhet të marrim maksimumin. 

ALUDIMET – "A po luhet ndershëm, duke marrë shkas edhe nga fitorja e Luftëtarit në fushën e kampionëve? Unë mendoj se kampionati është shumë i fortë këtë edicion. Diferencat mes skuadrave nuk janë shumë të mëdha, kështu që nuk e kam parë në atë këndvështrim. Jam i fokusuar te skuadra ime, jo te të tjerët. Jam i mendimit se kush jep maksimumin në një ndeshje, mund të fitojë ndaj cilësdo skuadër të Superiores. Një nga gjërat kryesore që kemi ne si popull është vuajmë shumë nga paranojat. Ne besojmë te puna jonë, tek ajo që bëjmë në fushën e lojës, jo në rrjetet sociale. Unë nuk e di që Skënderbeu të ketë lënë ndonjë ndeshje deri më sot, që ta bëjë edhe ndaj nesh. Di që pashumbjes me Luftëtarin trajneri Shehi ka ofruar dorëheqjen. Kjo do të thotë se në kësi problemesh nuk ka vend për diskutim. 

KAMPIONATI – "Unë shikoj vetëm një gjë: ky kampionat është shumë i egër. Këtu kam parasysh se nuk është më ai Skënderbeu që ka qenë gjithë kohën, shumë i fortë. Nuk është ai Kukës që ka qenë gjithë kohën shumë i fortë. Shoh një Partizan që ka ndryshuar, por sigurisht nuk është Partizani më i mirë i viteve të fundit. Shoh edhe një Teutë që ka hyrë në vallen e titullit. Pra, kampionati është gjithnjë i hapur, pavarësisht hapësirave në pjesën e fundit të renditjes. Kampionati është shumë i fortë, ndaj ne duhet të vrapojmë e të djersijmë shumë për t’i realizuar objektivat. Edhe po të fitosh, edhe po të humbësh, këtu te ne do ta gjejnë një gjë, për t’ia vënë si “bisht” nga pas ndeshjes. 

MERKATO – "Merkatoja e janarit është shumë e vështirë. Ke shumë pak mundësi për të gjetur lojtarë të mirë e cilësorë, që mund të jenë të lirë në treg. Dhe për të qenë shumë i sinqertë me ju, ne nuk kemi ndonjë buxhet të jashtëzkonshëm financiar. Ne jemi një klub modest dhe brenda kësaj modestie do të përpiqemi të gjejmë ndonjë lojtar për ta përforcuar skuadrën. 

Në këto dy faza kemi parë se, duke mos pasur shumë lojtarë në grup, kemi vuajtur herë pas here. Në fazën mbrojtëse kemi pasur shumë probleme edhe me dëmtimet. Ndoshta do të kërkojmë ndonjë mbrojtës për t’u përforcuar. Në pjesën përpara mendoj se jemi skuadër e mirë. Eshtë thjesht çështje besimi dhe fati, që nuk kemi shënuar shumë gola. Askush nuk mund të thotë se Plaku dhe Martinena nuk janë sulmues goli”.    

Telesport është krenar që bashkëpunon me Krowd9, një aplikacion fantastik i futbollit për shqiptarët! Shkarkojeni > bit.ly/krowd9 për video me përmbledhje ndeshjesh, njoftime të menjëhershme për golat dhe të gjitha lajmet e Telesport! Krowd9 është i përdorshëm në shqip, italisht dhe anglisht.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit