Gjoka: Me një president si Gjici, finalja nuk ka vlerë

7 Maj 2019
10:36
back button

Kukësi e hodhi një hap drejt finales së Kupës së Shqipërisë duke fituar 2-1 vajtjen ndaj Skënderbeut, por është një nga ato fitore që kanë rrezik të madh brenda, për shkak të golit të Dejvi Bregut, i cili u dha jetë korçarëve. 

Trajneri i Kukësit, Ernest Gjoka, ka folur në prag të sfidës së të mërkurës në Korçë, por edhe për të ardhmen, sepse po afron vera, merkatoja dhe kupat e Europës. 

"Jemi duke u kompletuar, siç e shihni Rama është këtu krah meje dhe do jetë gati, po ashtu disa lojtarë të tjerë janë drejt riaftësimit të plotë, si Dzaria. Kam besim të plotë te ky ekip dhe të sulmuesit që kam, sepse e kam thënë edhe herë tjetër që janë sulmuesit më të mirë në Shqipëri dhe sezonin e ardhshëm do të shënojmë shumë më tepër se sivjet. 

"Kontratat dhe kërkesat e disa lojtarëve për largim? Janë marrëdhënie të klubit me lojtarët, gjëra normale. Kur klubi dëshiron t'i mbajë disa lojtarë, i mban ata duke u përmirësuar kushtet financiare, ndaj me të gjithë do ketë bisedime. Reginaldo? Duhet të pyesni klubin, nuk më intereson pjesa tjetër. 

"Finalja mjafton, apo Kupa është detyrim? Me një president si Gjici dhe një trajner si unë, duhen vetëm trofe. Kampionati iku, ndaj kupa është detyrim për mua. Po të kishim ecur me mirë e të kishim pasur pak fat në disa ndeshje, kampionati do ishte shume më i bukur e interesant, sepse ndaj Flamurtarit e Teutës, për shembull, duhej patjetër të fitonim me lojën që prodhuam".

VALDET RAMA – Në krah të Gjokës ishte mesfushori ofensiv Valdet Rama, i riaftësuar në kohë rekord pas një dëmtimi që u mendua se do i kushtonte operacionin: "Kam pasur disa javë jo të mira, lëndimet me kanë shqetësuar disa herë, por tani jam kthyer dhe nuk ndiej dhimbje. Natyrisht, nuk është e lehtë të përballesh shpesh me dëmtime, por duhet parë përpara, lëndimet janë pjesë e lojës. 

"Kemi përpara një ndeshje shumë të rëndësishme e të vështirë, por jam optimist se do ia dalim. E ardhmja? Kam kontratë me Kukësin, të fitojmë Kupën një herë. ("Nuk e lëshojmë Valdetin", saktëson Gjoka duke qeshur).

Lajme të tjera

Lajmet e fundit