Gjysma e parë e sezonit, merkatoja e dimrit, Lukaku…, Conte lartëson Interin e tij

15 Janar 2020
9:32
Alfred Lleshi
back button

Interi tashmë e ka lënë pas gabimin ndaj Atalantës, të shtunën e kaluar. Një fitore e qartë në Kupën e Italisë erdhi mbrëmë kundër Cagliari, në sajë të “parantezës” së Lukakut dhe golave të Ranocchia e Borja Valero. Antonio Conte, pas mbylljes së ndeshjes, foli për mikrofonat e “Rai Sport”: “Sigurisht që mora një përgjigje (reagim) të shkëlqyeshme nga të gjithë djemtë, duke pasur parasysh që disa nuk kishin luajtur për një kohë. Barella po kthehej pas dëmtimit. Dimarco, Lazaro, Alexis, të gjithë luajtën mirë. Borja Valero atëherë e konfirmoi veten si një element shumë i rëndësishëm për ne. Lukaku po tregon forcën e tij, por ka ende hapësirë për përmirësim”.

Sa i përket merkatos, Antonio Conte është shumë i qartë për situatën e Interit: “Drejtori ka qenë i qartë. Ne duhet të jemi efikas në gjetjen e elementëve, që mund të na sjellin përfitime. Duhet të gjejmë mundësi të lira, përndryshe e shoh vështirë. Idetë janë aty, nëse ekziston mundësia do të përmirësohemi. Aty ku nuk mund të çash me para, duhet të tregosh inteligjencë dhe zgjuarsi”.

Trajneri salentin shpjegon edhe sekretin e zikaltërve në këtë pjesë të parë të sezonit: “Ne kemi zhvilluar një gjysmë të parë të kampionatit mjaft të mirë. Kemi përballuar probleme serioze dhe, pavarësisht kësaj, kemi grumbulluar 46 pikë. Pjesa e dytë e sezonit do të jetë më e vështirë, e dimë këtë. Do të na duhet edhe më shumë luftë. Gjëja më e rëndësishme në lidhje me këtë pjesë të garës ishte ndjenja që u krijua midis meje dhe djemve. Më kënaq fakti që ata e përqafuan plotësisht projektin tim. Ata miratuan idenë e futbollit tim me dy sulmues, me mesfushorët që përshtaten etj”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit