Policia e kryeqytetit ka rritur vigjilencën për derbin e sotëm, Partizani-Tirana, që do të luhet nga ora 19:00, në stadiumin “Air Albania”. Masat e marra nga uniformat blu janë të shumta, që nga kufizimet e qarkullimit në disa rrugë, prej orës 16:00, e deri tek itinerirari që duhet të ndjekin detyrimisht të dyja tifozëritë për të mbërritur në stadium. Qëllimi është që të mos ketë asnjë pikëtakimi mes tyre, përndryshe përplasja do të ishte e paevitueshme. Interesant është vendi i grumbullimit, i caktuar nga policia për tifozët bardheblu, ku ata duhet të tubohen e prej aty t’i drejtohen “Air Albania Stadium”.
Në fakt, duhej një mendje e hollë, e një tifozi të kuq, për të bërë lidhje të tilla mes Teatrit të Kukullave dhe rivalëve të përjetshëm. Pra, tifozët bardheblu do të “falen” në të njëjtin vend, ku shkojnë të argëtohen fëmijët e kryeqytetit. Nënteksti është i qartë: Në shfaqjet e Teatrit të Kukullave përdoren kukulla me tela, kukulla marionete, maska, teatro hijesh e pantomime, si dhe shfaqje me aktorë për fëmijë… Me siguri, policia nuk ka pasur parasysh të tilla konvencione për këtë gjë, por tifozët e kuq nuk e kanë lënë të “bie në tokë” njoftimin e uniformave blu, duke ironizuar me homologët rivalë, para derbit.
Ja njoftimi i policisë për tifozët bardheblu: “Tifozët e Klub Sport Tirana do të grumbullohen te Teatri i Kukullave dhe do të kalojnë në itinerarin për tek stadiumi “Air Albania” nga: Ministria e Brendshme, Pedonalja, rruga “Xhorxh Bush”, Ura e Elbasanit, rruga e “Elbasanit”, Ambasada e SHBA-së, Kthim në rrugën “Dervish Hima, Kthim në rrugën “Sheh Ahmet Pazari”, Tribuna “S” dhe kthim anasjelltas”.