Ndeshja e djeshme e Superiores mes Kukësit dhe Partizanit, e cila u mbyll me fitoren 2-1 të “demave të kuq”, riktheu në skenë dhunën në futbollin shqiptar. Direkt pas golit të bukur nga goditja e dënimit për rezultatin e përkohshëm 1-0, Tedi Cara shkoi për të festuar te tifozët e tij.
Në këtë moment, kur u afrua te rrethimi i fushës, u godit me një send të fortë në sy nag një tifoz vendas, duke rrezikuar shumë. Ai u gjakos dhe përfundoi në spital me 3 të çara.
Menjëherë nisën hetimet dhe përmes kamerave të stadiumit është identifikuar agresori, i cili sipas ligjit përkatës rrezikon deri në 5 vite burg tashmë. Ja njoftimi i policisë me këtë rast:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kukës referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim, për veprën penale “Goditja e sportistit, trajnerit, arbitrit dhe ndërmjetësit sportiv”, shtetasin A. E., 47 vjeç, banues në Kukës.
Ai, gjatë ndeshjes së futbollit Kukësi-Partizani, të zhvilluar më datë 19.09.2022, në stadiumin “Kukës Arena”, ka hedhur një send të fortë (shishe me ujë të ngrirë) në fushë, e cila ka goditur njërin nga futbollistët, shtetasin T. C. Vijon puna për kapjen e tij”.