Gol mes tensionit me ndihmën e Courtois, Real Madrid shkon si i barabartë në“El Classico”

15 Dhjetor 2019
23:06
back button

Skuadra e Real Madrid evitoi disfatën mbrëmjen e të dielës në transfertë nga Valencia me rezultatin 1-1, falë një goli të realizuar nga Benzema në minutën e 95’ ku protagonist kryesor ishte edhe portieri i madrilenëve, Courtois.

Në fakt, kur të gjithë prisnin e parashikonin dominimin dhe epërsinë e Real Madrid, një kundërsulm i shpejtë, duke përfituar gjithashtu edhe nga kërcim i gabuar i madrilenëve në krahun e majtë, është finalizuar me golin e Valencias në të 78’, të firmosur nga Soler, 1-0.

Los Blancos kanë barazuar në minutën e katërt shtesë, por goli është anulluar nga arbitri për pozicion jashtë loje të Jovic. Vetëm një minutë më pas, në të 95’, Karim Benzema fut topin në rrjetë, pas rrëmujës së shkaktuar nga korrnia, me Courtois që ishte protagonist, këtë herë gjithçka e rregullt, 1-1.

Skuadra e drejtuar nga Zinedine Zidane, ka arritur të shmangë në limite një humbje të rëndë para “El Classicos”, por pa ja dalë të përfitojë nga hapi fals që Barcelona bëri një ditë më parë, me atë barazim 2-2 ndaj Real Sociedad, që do të mund t’i dhuronte Realit kreun e klasifikimit.

Në kuotën e 35 pikëve, Real Madrid shkon si e barabartë me Barcelonën në“El Classico”,  ndërkohë që Valencia nuk ja doli dot të ruajë atë avantazh që do t’i shërbente aq shumë për klasifikimin, teksa tani renditet në vendin e 8-të në kuotën e 27 pikëve.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit