Gola dhe lojë, Skënderbeu bind ndaj Bylisit

12 Janar 2019
15:58
back button

Trajner Orges Shehi dëshiron që sulmi të zhbllokohet dhe Skënderbeu i përgjigjet më së miri, sepse pas fitores ndaj Tiranës para pak ditësh, sot korçarët kanë mposhtur 4-1 Bylisin, në një miqësore luajtur në Kompleksin Tropical, në Durrës.

Krasniqi e Gripshi e kanë nisur në formacion, por në pjesën e parë, të mbyllur 3-1, golin e gjetën tre mesfushorë.

Nëse Muzaka e Dita janë "veteranë" në ekip, risia ishte një mesfushor të ri, nga Kosova, Elmir Asani. 23-vjecari sapo është bashkuar me kampionët e Shqipërisë dhe do të provohet, ndërkohë që shënoi ndaj Bylisit. Asani do të qëndrojë disa ditë te Skënderbeu, para se trajneri Orges Shehi të vendosë a vlen për t'i ofruar kontratë.

Te Bylisi ka debutuar mesfushori Eri Lamçja, i cili sapo ka firmosur për ballshiotët. Gjithashtu, kanë luajtur edhe mesfushori Serxho Ujka (ish-Shënkolli) e Andi Hadroj (ish-Laçi), të cilët mund të firmosin së shpejti.

Në pjesën e dytë pati shumë ndryshime në të dy krahët dhe në fund të takimit erdhi goli i Oto John, sulmuesit të Skënderbeut, i cili në pjesën e parë të sezonit nuk arriti të bëhej titullar fiks. 

MIQËSORE

SKËNDERBEU – BYLIS        4-1

Shënues: Asani 5’, Muzaka 7’ (p), Dita 38′, Oto John 88’ / Kofi 25’

SKËNDERBEU: Teqja, Abazi, Radas, Lulaj, Sambou, Dita, Muzaka, Guedj, Asani, Gripshi, Krasniqi.

BYLIS: Bytyçi, Janku, Hadroj, Peposhi, Doksani, Zefi, Shyti, Beji Antoni, Ujka, Lamçe, Kofi.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit