Grezda prezantohet te klubi i ri: I lumtur që kthehem në shtëpi

7 Janar 2020
14:06
Alfred Lleshi
back button

Eros Grezda është rikthyer tek Osijek, duke e mbyllur aventurën e palavdishme në Skoci, me Rangers. 24-vjeçari i kombëtares shqiptare është prezantuar te klubi kroat, ku deklaroi se kishte kaluar sezonin e tij më të mirë në karrierë. Në fjalët e para, në konferencën për shtyp me këtë rast, Grezda kujtoi marrëdhëniet shumë të mira me tifozët aty. Pas një sezoni e gjysmë të kaluar në klubin e njohur skocez, sulmuesi i krahut është kthyer qytetin e Drava, ku shkëlqeu gjatë sezonit 2017-2018. Asokohe, ai ishte titullar standard i ekipit të parë dhe shënoi 8 gola në 37 ndeshje zyrtare. Steven Gerrard e aktivizoi shqiptarin në 17 ndeshje me Rangers, ku shënoi 2 gola. Me fanellën e kombëtares së Shqipërisë, gjakovari ka luajtur 12 ndeshje dhe ka realizuar një gol.

Me Osijek, kontrata e firmosur sot nga Grezda është 3-vjeçare. Ai deklaroi në konferencë për shtyp se ishte i lumtur që u kthye në shtëpi. Po ashtu, saktësoi se është i shëndetshëm dhe gati të luajë. Madje, mezi po pret që të bashkohet me shokët e skuadrës në trajnim. Drejtori sportiv i Osijek, Alen Petrovic, theksoi se Eros ishte një transferim i rëndësishëm financiar i klubit në gusht 2018, ndërsa tani po kthehet me një kompensim simbolik. Ai shtoi se i rikthyeri kishte disa oferta të tjera nga Kroacia. Vetë Grezda konfirmoi se ishte kontaktuar nga Hajduk dhe Rijeka, përveç disa klubeve të huaja. 

Skautisti kryesor i klubit, Marin Skender, deklaroi se të gjithë janë të lumtur dhe të kënaqur me këtë rikthim, duke falënderuar lojtarin e ri dhe të vjetër për rizgjedhjen e NK Osijek. Eros pranoi se kishte oferta më të forta se e Osijek, por vendosi në bazë të zemrës, sepse aty kishte kujtime të bukura: “Kam pasur disa oferta nga jashtë, por edhe nga Kroacia. Më kërkuan Hajduku dhe Rijeka, por vendosa të kthehesha këtu, sepse kam lënë gjurmë dhe kujtime të bukura me Osijek. Jam përsëri në shtëpi, ndihem i lumtur”.

Një mesazh ka pasur sulmuesi shqiptar edhe për Rangers, ku u transferua për 2.2 milionë euro, por nuk “qullosi” dot asgjë. Përmes Instagram-it, Grezda ka shkruar: “Ndonjëherë në jetë gjërat nuk shkojnë sikurse duam, por e rëndësishme është që të mos dorëzohesh për ëndrrat e tua. Iu uroj gjithë të mirat shokëve të skuadrës dhe klubit”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit