Griezmann, nga “ferri” në “parajsë; falë… Messit. Shijoni kryeveprën e karrierës (video)

6 Korrik 2020
11:36
Alfred Lleshi
back button

Nga “ferri” në “parajsë”. Kjo është trajektorja, nëpër të cilën ka kaluar Antonie Griezmann brenda pak ditësh. Nëse ndaj ish-skuadrës së tij, Atletico Madrid, aktivizohej në minutën e 90-të, çka u pa si turpërim i tij nga trajneri Setien, çka u shoqërua edhe me komente shpërthyese të familjarëve, kampioni i botës shkëlqeu mbrëmë, në fitoren ndaj Villareal. Më shumë se kaq, tregoi klasin e lartë në shënimin e golit, pas një asisti të mrekullueshëm të Messit. Pasi e mori topin nga kapiteni, me të cilin thuhet se ka një raport të ftohtë, francezi e goditi plot finesë dhe elegancë, me njëfarë parabole, duke e dërguar në rrjetë, thuajse në një largësi prej 16 metrash nga porta kundërshtare.

Vetë trajneri i Barcelonës “vuri duart në kokë”, nuk u besoi syve, kur e pa atë kryevepër, që nisi nga këmbët gjeniale të Messit dhe u finalizua nga Griezmann. Shikojeni sërish atë gol, sepse është vërtet për në “vitrinë”, një manual për studim dhe imitim nga ata që adhurojnë spektaklin përmes kësaj loje magjike. Veç asistit të Messit dhe konkludimit fenomenal të francezit, përqafimi i tyre duket sikur shuajti përfundimisht zërat për krizë mes të dyve, mes lojtarëve dhe trajnerit Setien etj. Një kryevepër futbollistike, që gjithsesi nuk e zhbën dot distancën prej 4 pikësh nga Real Madridi, që me gjasë do ta dërgojnë titullin kampion në “Santiago Bernabeu” për këtë sezon.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit