Guardiola nuk fshihet më: Për të qenë një klub i madh, Manchester City duhet të fitojë Champions-in

6 Qershor 2023
12:43
Alfred Lleshi
back button

“Shumë klube kanë shkatërruar projekte dhe ide, sepse nuk kanë arritur ta fitojnë këtë kompeticion. Shumë janë bërë klube të mëdha, sepse ia kanë dale në Champions. Edhe nëse nuk mendoj kështu, e kuptoj që gjithçka kemi bërë gjatë gjithë këtyre viteve ka qenë e shkëlqyer. Do të ketë kuptim vetëm për të tjerët nëse e fitojmë Ligën e Kampionëve.

Nëse nuk e fitojmë, gjërat do të duken se kanë më pak kuptim. Është pak e padrejtë, por ne duhet ta pranojmë këtë”. Me këto fjalë, të thëna për faqen e UEFA-s, Pep Guardiola, trajneri i Manchester City, po përgatitet për ndeshjen finale të Champions League kundër Interit.

“Ne gjithashtu duhet të pranojmë që, nëse duam të bëjmë një hap përfundimtar dhe të jemi klub i madh, duhet të fitojmë në Evropë, – shtoi Guardiola. – Po, duhet ta fitojmë Ligën e Kampionëve, nuk mund ta shmangim atë, por më së shumti gjëja e rëndësishme është të jesh gjithmonë aty. Dy vite më parë ishim në finale, pas dy vitesh jemi kthyer.

Do të përpiqemi përsëri dhe gjëja më e rëndësishme është të kthehemi këtu pas disa vitesh. Kjo është ajo që ju bën një klub të madh; vit pas viti arrini në fazat e fundit të Ligës së Kampionëve dhe ndoshta fitoni edhe titullin. Në sport dështimi nuk ekziston.

Të pranosh që ke dështuar është si të thuash se kundërshtari yt është i pavlerë. Pra, ka mundësi që kundërshtari të luajë më mirë. Thjesht duhet të provosh, sporti është i tillë. Provo përsëri dhe ngrihu. Kur fiton, duhet të festosh siç duhet edhe privatisht. Kur humbet, mund të qash pak dhe ta kthesh faqen të nesërmen. Ky është sporti; nëse provon, nuk dështon”.

Guardiola më pas tha: “Ne do të shkojmë në Stamboll për të bërë realitet një ëndërr, do të përpiqemi të luajmë një ndeshje të mirë. E patëm mundësinë dy vite më parë dhe nuk ia dolëm, ndërsa vitin e kaluar për pak e humbëm atë. Këtë vit jemi në finale dhe do të përpiqemi të japim më të mirën. Ne do t’i qasemi kësaj ndeshjeje si gjithmonë në Premier League.

Do të sigurojmë që lojtarët të jenë të fokusuar në atë që duhet të bëjnë, asgjë tjetër. Si trajner kam arritur në 10 gjysmëfinale të tilla, kam luajtur vetë në tri finale, kam fituar dy dhe tani jam në finalen time të katërt. Champions-i më ka dhënë më shumë seç mund ta imagjinoja ndonjëherë. Nëse jeta ime do të përfundonte sot, do të kisha fituar një Champions si lojtar me klubin që e dua shumë dhe dy të tjerë si trajner.

Futbolli të jep dhe të merr. Jeta është plot padrejtësi, por gjithçka që është e padrejtë për mua është e drejtë për Atletico Madridin, për Real Madridin, gjithashtu për Barcelonën. Kjo është mënyra se si funksionon bota. Ne gjithmonë duam më shumë dhe është e gabuar. Duhet të jesh ambicioz, por jo i pangopur, – përfundoi ai.

– Ky kompeticion më ka dhuruar momente shumë të trishtuara që më kanë lënduar, të cilat do të mbeten përgjithmonë në mendjen time, por edhe momente të bukura, që do të mbeten përgjithmonë me mua. Kështu funksionon jeta dhe sporti, gjithashtu”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit