Guardiola tradhton Barçën: Dua të imitoj Real Madridin, sepse është “mbreti”…

24 Shkurt 2020
9:59
Alfred Lleshi
back button

Pep Guardiola e etiketoi Real Madridin si “mbretin” e Ligës së Kampionëve. Ky përcaktim vjen nga ish-trajneri i Barcelonës në prag të përballjes së skuadrës së tij aktuale me “Los Blancos”. Këta të fundit janë klubi, që ai dëshiron të imitojë. Udhëtimi i Manchester City në “Santiago Bernabeu”, të mërkurën, për ndeshjen e parë të 1/8 finale të Champions-it, duket i vështirë. Pep nxori në pah mungesën e përvojës relative të lojtarëve të tij, kur bëhet fjalë për fitimin e titujve europianë. 

Krejt e kundërta është për Zidane dhe të bardhët, që janë shpallur kampionë të Europës në katër nga gjashtë edicionet e fundit të Ligës së Kampionëve. Claudio Bravo dhe Scott Carson janë të vetmit lojtarë të “qytetarëve” aktualë, që e kanë fituar këtë kompeticion. Guardiola e hoqi mënjanë rivalitetin e tij të fortë me Real Madridin, çka daton prej kohës si trajner i Barçës. Ai u tha gazetarëve: “Unë kam një admirim të jashtëzakonshëm për atë klub. Lojtarët që kanë luajtur atje e kanë provuar kaq shumë herë finalen e Champions-it. 

Nuk e di se sa herë secili e ka fituar këtë trofe. Në skuadrën tonë, Claudio Bravo dhe dikush tjetër e ka fituar Ligën e Kampionëve. Pra, nuk kemi shumë lojtarë, që e kanë fituar atë. Kemi nevojë për dëshirë e guxim, që ta fitojmë Champions-in. Duhet të jemi vetvetja, pastaj në futboll mund të fitosh dhe të humbasësh. E përsëris, duhet të jemi vetvetja në 180 minutat kundër Real Madridit. Kjo është prova reale, e vërtetë për ne”.

Real Madridi nuk arriti ta fitojë asnjërën nga dy ndeshjet e fundit në kampionat. Të besuarit e Zidane do të jenë nën presion për t’u rikthyer nga humbja 1-0 në La Liga, ndaj Levante, të shtunën. Në të kundërt, Manchester City vjen pas dy fitoreve radhazi në Premier League, pa pësuar asnjë gol. Sidoqoftë, Guardiola tha se suksesi historik i të bardhëve në Champions është një faktor që duhet marrë parasysh: “Lojtarët e Real Madridit e dinë që po mbrojnë historinë e tyre. Kjo iu jep diçka shtesë. Ata janë klubi që ne duam të imitojmë. Unë dua të shkoj atje dhe në fund të lojës të them: ne ishim çfarë patë në fushë. Kjo është gjëja më e rëndësishme në kësi ndeshjesh e garash. 

Kemi nevojë të shkojmë dhe ta provojmë veten në një nga stadiumet më të mëdha, më të këndshme dhe më prestigjioze. Do të përpiqemi me armët tona të shënojmë gola. Nëse nuk mundemi, do t’i përgëzojmë të bardhët dhe do të përpiqemi të përmirësohemi për herën tjetër. Për ne, të qenit këtu është emocionuese, kaq e mirë. Do të përpiqemi të bëjmë më të mirën, duke e ditur se luajmë kundër një skuadre, që ka fituar 13 Liga Kampionesh  dhe është “mbret” në këtë kompeticion”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit