Haaland i vendos kushte Dortmundit për të qëndruar sezonin e ri

13 Maj 2021
12:16
Alfred Lleshi
back button

Erling Haaland ka lënë të kuptohet se mund të qëndrojë te Borussia Dortmund përtej këtij sezoni vetëm nëse kualifikohen në Champions, për edicionin e ardhshëm. 20-vjeçari është bërë një nga lojtarët më të kërkuar në Europë, pasi ka shënuar 37 gola në 38 paraqitje totale këtë sezon. Skuadra e Haaland aktualisht është në vendin e katërt të Bundesligës, pra në zonën Champions; por ka vetëm një pikë më shumë se Eintracht Frankfurt, me dy ndeshje të mbetura.

“Gjithmonë dua të luaj në nivelin më të lartë. Liga e Kampionëve është veçanërisht e rëndësishme për mua”, – tha ylli norvegjez për “Bild”. Megjithëse ai ka qenë vazhdimisht i lidhur me një largim, CEO i Dortmund, Hans-Joachim Watzke, saktësoi se nuk pret lëvizje verore për Haaland: “Unë kam shpresën e qartë se Erling Haaland do të luajë ende për ne sezonin e ardhshëm”.

Haaland e humbi ndeshjen e fundjavës së kaluar kundër RB Leipzig për shkak të lëndimit, por duket se do të kthehet në fushë të enjten, në finalen e “DFB-Pokal”. “Erling doli sërish në fushë, për herë të parë pas një kohe. Ai dukej mjaft mirë, –  tha trajneri i Dortmund, Edin Terzic, në konferencën e tij për shtyp të mërkurën. – Kemi edhe një seancë stërvitore dhe duam të shohim reagimin e tij. Pas kësaj do të ulemi së bashku dhe do të shohim nëse është i aftë për ndeshje”.

Në intervistën e tij me “Bild”, Haaland tha se shpreson t’i lumturojë tifozët e Dortmundit me fitimin e Kupës së Gjermanisë: “Çdo futbollist ëndërron të fitojë tituj, edhe unë e përjetoj futbollin në këtë mënyrë. Tifozët tanë me të vërtetë meritojnë të festojnë diçka në këto kohë të vështira. Sidoqoftë, Leipzig do të jetë kundërshtar shumë i vështirë”.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit