“Haaland nuk bënte për Real-in”, Tebas: Mbappe? Shpresoj të vijë në restorant para shtatorit

13 Maj 2022
18:54
Denis Hakanaj

Javier Tebas beson se Erling Haaland do ta kishte patur shumë të vështirë të përshtatej te Real Madrid. Presidenti i La Liga-s ka folur në lidhje me sulmuesin norvegjez dhe Kylian Mbappe me rastin e hapjes së restorantit Twenty Nine të La Liga-s në Madrid.

I pyetur në lidhje me vendimin e Real Madrid për t’u tërhequr nga gara për Haaland, Tebas ka thënë: “Duke parë lojtarët që ka Real-i, nuk e di nëse do të kishte gjetur një vend aty.

“Karim Benzema, Vinicius Junior, lojtarë të këtij niveli… Nuk e di nëse kishte diçka për t’i ofruar Real Madrid-it”, kanë qenë fjalët e Tebas. “Natyrisht, mua do të më kishte pëlqyer që të vinte në kampionatin tonë, por nuk mund t’i kemi të gjithë”.

Një sulmues që pritet të transferohet në Spanjë këtë verë është Kylian Mbappe, i cili jepet një hap larg Real Madrid-it.

“Shpresoj që të vijë në restorant para shtatorit”, ka bërë shaka Tebas. “Nuk mendoj se do të qëndrojë te Paris Saint-Germain. Një lojtar i atij niveli nuk e nënshkruan kontratën në minutën e fundit. Shpresoj që të vijë te Real Madrid”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit