Haaland shënon 5 gola, dy shokët e tij te Manchester City dëshpërohen. Nuk është ashtu siç duket… (pamjet)

17 Mars 2023
11:21
Alfred Lleshi
back button

Erling Haaland është “makineria” e fundit e golit, një “kiborg” i programuar vetëm për të shënuar. Norvegjezi është kthyer në makthin më të madh për mbrojtësit në të gjithë Evropën, përfshirë ata te Manchester City.

Këtë e dëshmon edhe skena e parë në ndeshjen e fundit të Ligës së Kampionëve, të fituar nga djemtë e Pep Guardiolës 7-0 ndaj Leipzig. Haaland e mbylli paraqitjen e tij me pesë gola, duke barazuar kështu rekordin e vendosur nga Leo Messi në një ndeshje të vetme të Ligës së Kampionëve, fazat me eliminim direkt.

Ndërkohë që i gjithë stadiumi brohoriste për golat e shumëfishtë të sulmuesit norvegjez, dikush në fushë ishte në grahmat e dëshpërimit. Dhe nuk bëhet fjalë për mbrojtësit e klubit gjerman, të pushtuar nga “uragani” i Manchester City, por për Manuel Akanji dhe John Stones.

Dy shokët e skuadrës së norvegjezit janë kapur nga kamerat teksa kanë hapur krahët menjëherë pas golit, thuajse të dëshpëruar. Një paradoks, duke qenë se City i tyre ishte një hap larg arritjes në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, pas një dominimi absolut.

Stones u kujdes për të shpjeguar se çfarë ndodhi në të vërtetë në fushë dhe hodhi menjëherë çdo dyshim: “Ne po qeshnim me rastet që Akanji kishte për të shënuar kundër Leipzig, por topi vazhdoi të shkonte te Haaland. Ishte e qartë se Manu donte shumë të shënonte, por sigurisht që ishte radha e Erlingut përsëri. Ne po qeshnim”.

Asnjë tension mes shokëve të skuadrës. Akanji, gjithashtu donte të merrte pjesë në “festivalin” e golave të Manchester City, një festë e rezervuar pothuajse ekskluzivisht për norvegjezin. Gjatë gjithë sezonit, mbrojtësi nuk ka shënuar kurrë dhe në përgjithësi, kontributi i tij ndalet në vetëm një asist në kampionat.

Dëshira për t’u zhbllokuar në Champions League ishte vërtet e madhe, edhe sepse iu afrua dy herë rrjetës kundërshtare, por në të dyja rastet Haaland ishte më i shpejtë dhe e shfrytëzoi këtë për të shënuar në vend të tij. Të dy e njohin njëri-tjetrin shumë mirë. Ata ishin gjithashtu shokë skuadre te Borussia Dortmund përpara se të takoheshin sërish në aventurën në Manchester City.

 

Zvicerani ishte me të vërtetë një hap larg golit të tij, por ende do të duhet të presë para se të mund të festojë. Me një sulmues si Haaland në ekip, misioni për të bëhet vërtet i vështirë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit