Haaland vendos rekord absolut; lë mbas Ronaldon dhe Messin

25 Nëntor 2020
10:48
Alfred Lleshi

Gjashtë gola të shënuar në tri ndeshjet e fundit. Erling Haaland u përpoq sërish ta tejkalonte veten, edhe pse tani rekordet e norvegjezit dhe rezultatet e tij janë në kufijtë e surreales. Sulmuesi i datëlindjes 2000 po rishkruan historinë vetëm 20 vjeç.

Me dopietën kundër Brugge, ylli i Borussia Dortmund ka shënuar 16 gola në 12 ndeshje të Ligës së Kampionëve. Askush nuk ka arritur të bëjë më mirë se ai. Rekordi i Van Nistelrooy u “pluhuros”. Vetëm në dy ndeshje në Europë, norvegjezi nuk e gjeti golin, kundër Liverpool dhe PSG.

Krahasimet me majën janë pothuajse të pamëshirshme: Leo Messit iu deshën 29 ndeshje për të shënuar 16 gola në Champions, Cristiano Ronaldos edhe më tepër, 53 ndeshje. Haaland, nga ana tjetër, i shënoi kaq gola vetëm në 12 ndeshje jo më shumë se 20 vjeç, pasi ka luajtur vazhdimisht midis profesionistëve pak më tepër se një vit.

Paraqitja ndaj Brugge e çoi norvegjezin në një nivel të ri. 2020-ta ishte viti i tij. Që nga bashkimi me Borussia Dortmund, ai ka shënuar 33 gola në 31 ndeshje, në të gjitha garat, të cilëve iu shtohen edhe 6 gola me Norvegjinë. Gjithsej: 39 gola. Më shumë gola sesa ndeshjet e luajtura gjatë gjithë vitit.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit