Halili shkarkoi Memën, shpërthejnë tifozët: Keni dështuar, ikni nga Tirona!

25 Tetor 2019
14:44
Alfred Lleshi
back button

Presidenti Refik Halili shkarkoi trajnerin Ardian Mema për mungesë rezultatesh. Një veprim, që nuk është mbështetur nga tifozët bardheblu, që e shohin problemin te drejtuesit dhe disa lojtarë. “Tirona Fanatics” e konsideron situatën të pashpresë, ndërsa vijon ta quajë kreun e klubit 24 herë kampion të vendit ish-president…:

“Ish-presidenti, që për hir të vërtetës, hap pas hapi e tejkalon veten me bëmat e tij dhe nivelin e ulët të inteligjencës, sot ka vendosur të largojë nga detyra trajnerin e skuadrës për rezultate të dobëta në javët e fundit… Duhet me të vërtetë nivel i ulët inteligjence, që për të shpëtuar Tironën, të sakrifikosh trajnerin, a thua se trajneri ka ndonjë rol kyç aty (drejtimin e stërvitjes dhe deri diku zgjedhjen e formacionit, 30-40%)!

Për shkak se ish-presidenti na ka vërtetuar dhe vazhdon të na vërtetojë se me të vërtetë është rast i pashpresë, ne i themi shpurës së tij se problemi nuk është as i tifozëve dhe as i trajnerit, por i pseudolojtarëve që për vite kanë helmuar dhe kontribuar vetëm e vetëm në përkeqësimin e situatës, me krijimin e klaneve apo me paaftësinë në fushë! Komunikoni me ish-presidentin e pashpresë se: Çdo trajner, pavarësisht aftësive të tij, do ta ketë të pamundur të arrijë diçka, për sa kohë te Tirona qelben me njollën e paaftësisë nga ish-presidenti e deri te pseudolojtarët…

Klanet, tashmë të konfirmuara brenda klubit dhe ekipit, janë sëmundja e vazhdueshme e Tironës… Për sa kohë në përbërjen kryesore të ekipit ka akoma lojtarë, të cilët ishin vendimtarë në sezonin që zbritëm nga kategoria, nuk do të ketë trajner që do t’jua justifikojë paaftësinë! Ikni nga Tirona!”

Lajme të tjera

Lajmet e fundit