Halili: Tirana është pro rifillimit të kampionatit, masat të realizueshme

13 Maj 2020
14:02
Alfred Lleshi

Refik Halili, presidenti i Tiranës kryesuese të Superiores, ka dhënë mendimin e tij pas mbledhjes së sotme me FSHF-në, ku u vendos bashkarisht që kampionati të rifillojë më 3 qershor: “Uroj të jemi të gjithë mirë, mbas këtij sikleti të madh, që kanë kaluar të gjithë njerëzit. Mirë është që të luhet futboll. Në qoftë se futbollistët do të rrijnë edhe 2-3 muaj pa luajtur, është një humbje e madhe sportive për ta. Për mua, nëse flasim për të eliminuar shpenzimet, mirë është të mos luhet. Nëse flasim për futboll, mirë është të luhet. Ne duam që të vazhdojmë. Masat janë gjëra të realizueshme, gjithsesi do të shikojmë si janë hotelet dhe të gjitha me radhë.

Unë kam një mendim, ndoshta udhëtimet në transferta do t’i bëjmë brenda ditës. Do të lodhemi pak, por në këtë mënyrë mund të eliminojmë ndonjë të papritur. Për titullin unë kam qejf edhe të flasim, por pak më vonë. Është shpejt, jemi 9 pikë para, pork a mjaft ndeshje për t’u luajtur. Them se do të marshojmë drejt rrugës që kemi nisur. Festa e 100-vjetorit është prishur disi nga kjo situatë. Unë kam shpresa te kthimi i tifozëve. Edhe në qoftë se nuk lejohet, do ta gjejmë një formë për të festuar.

Tek ekipi ynë, të gjithë lojtarët janë në Tiranë. Nuk kanë lëvizur as të huajt. Nuk ka shfaqur njeri dëshirën për të mos luajtur. Gjithmonë jemi gati për garë. 3 kriteret që ka FSHF për licencimin, ne i kemi plotësuar. Klubi ka bërë goxha punë me ndihmën edhe të stafit të federatës. Në qoftë se ka ndonjë gjë mangët, kemi kohë ta plotësojmë. Marrëveshjen e kemi realizuar me tatimet”. 

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit