Halili “votëbeson” Memën: Te Tirana flitet vetëm me rezultate

9 Tetor 2019
9:00
Alfred Lleshi
back button

Lajmi mori dhenë, se Ardian Mema u shkarkua nga stoli drejtues i Tiranës. U fol edhe për zëvendësuesin e tij, por na paska qenë “peshku në det e tigani në zjarr”… Presidenti i 24 herë kampionëve të vendit ka vendosur t’i japë edhe një shans trajnerit bardheblu, duke mos marrë masa ndaj tij, pavarësisht se rezultatet e fundit kanë qenë zhgënjyese. Pas analizës së zhvilluar me futbollistët dhe stafin teknik, kreu i klubit kryeqytetas ka nënvizuar për mediat:

“Trajneri ka besimin tonë, do të vazhdojë punën. Si president preferoj të jem pranë skuadrës kur kalon momente të mira, por edhe të këqija, si tani. Bisedova me lojtarët dhe trajnerin në analizë, u kërkova motivim dhe dalje nga situata. E përsëris, trajneri Mema ka besimin tonë dhe shpresojmë se ecuria do të ndryshojë me të në stol. Grupi i lojtarëve është cilësor, nevojitet pak më shumë motivim e qetësi për të rigjetur rrugën e duhur. Ky pushim i kampionatit le të shërbejë për t’i vënë gjërat në vendin e duhur.

Kemi pësuar tri humbje radhazi, sepse unë e quaj të tillë edhe barazimin në Vlorë. Tirana është një klub, ku presioni për rezultate pozitive ekziston gjithmonë. Trajneri nuk ka asnjë lloj presioni nga ana jonë si drejtues. A ia kemi kërkuar dorëheqjen? Jo, nuk e kemi bërë diçka të tillë. Nuk është folur asnjëherë për dorëheqje. Gjithkush që mendon se nuk është në gjendje për ta bërë si duhet punën që ka marrë përsipër dhe mendon të dorëhiqet, është i lirë të vijë të diskutojë me ne, cilido qoftë ai”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit