Hallaçi: Ta kthejmë faqen, Kukësit nuk i shkojnë këto rezultate

19 Janar 2021
15:01
Alfred Lleshi
back button

Një ditë para ndeshjes së javës së 15-të të Superiores, e cila e përball skuadrën nënkampione të vendit me Apoloninë në Fier, trajneri Rrahman Hallaçi jep kushtrimin për reagim te të tijtë. Situata është kritike, nuk i përmbush pritshmëritë dhe investimet. Shpresat janë te merkatoja e dimrit, ku synohen përmirësime, por lojtarë të mirë nuk ka të lirë:

“Kemi vuajtur pak ecurinë e ndeshjeve të fundit. Ndoshta nuk priteshin këto rezultate, por në futboll gjithçka ndodh. Jam shumë i kënaqur me drejtuesit, pasi më kanë dhënë një mundësi shumë të mirë. Gjithashtu më kanë mbështetur. Kuptohet që është e vështirë, por jo e pamundur. Jam mësuar të kem presion mbi super. Kuptohet tani jam në rolin e trajnerit, diçka ndryshe. Po mundohem të përshtatet. Lojtarët po më mirëkuptojnë, hapemi me njëri-tjetrin. Duhet të jemi të qetë dhe kështu ka ndodhur.

Jam i kënaqur me mënyrën si skuadra po stërvitet dhe ka disiplinë. Në momente krize ndonjë nuk e mbajnë nervat, por lojtarë me eksperiencë po ndihmojnë. Mendojmë se e kemi mundësinë ta kthejmë faqen. Në këtë ndeshje duhet të marrim maksimumin, nuk kemi çfarë presim më. Apolonia, edhe po të mos kishte këto rezultatet pozitive, ne do e vlerësonim maksimalisht. Kanë objektivat e tyre, por shohim veten tonë. Duam të kthehemi te fitorja, pasi jemi një skuadër e ndërtuar për të ecur përpara. Kemi biseduar me disa lojtarë cilësorë, por nuk vijnë dot për momentin. Mendoj që do marrim maksimumin në këtë ndeshje, por pa e nënvlerësuar Apoloninë.

Nuk shkojmë për të barazuar me Apoloninë. Me Vllazninë mund të ishte normal një barazim, pasi luanim me ekipin kryesues të kampionatit. Nuk e mendojmë fare barazimin. Ne nuk jemi dorëzuar për objektivat. Pikët aty janë, kuptohet që nuk duhet ta përmendim titullin për momentin. E rëndësishme është të dalim nga kriza dhe t’i shohim gjërat dalëngadalë në vazhdim. Do shikojmë në lidhje me ndryshimet. Kemi provuar module dhe lojtarë të ndryshëm. Nuk kemi mungesa, gjenda fizike e lojtarëve është e mirë. Janë të gatshëm dhe besoj se do të japin maksimumin”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit