Hamitaj ishte i fundit, ja rastet e rënda të dhunës në futbollin shqiptar

4 Mars 2019
10:10
Alfred Lleshi
back button

Dhuna në futbollin shqiptar është diçka që shpërthen herë pas here. Rasti i djeshëm në Kamëz, me kryesorin Eldorian Hamitaj, nuk ishte “ekzotik”, sepse të tilla momente të papranueshme janë ndeshur në disa raste të tjera në kategoritë e ndryshme të futbollit tonë. Natyrisht, ta shohësh “live”, përmes kamerave televizive, impakti negativ mbi imazhin e këtij produkti sportiv është i madh, aq më tepër që ndodh në Superiore, një garë e monitoruar gjerësisht. Më poshtë po ju sjellim në kujtesë incidentet e rënda në fushat e blerta, ose në mjediset sportive, të futbollit tonë, që janë ndëshkuar rëndë nga organet disiplinore të FSHF-së.  

Maj 2016 / Peshkopi – FNSH ka ndihmuar të nxjerrë nga stadiumi skuadrën e dhunuar të Kastriotit, pas një ore e gjysmë ngujimi brenda. Pas dhunës së ushtruar ndaj lojtarëve krutanë, uniformat blu nuk kanë arritur të ndalojnë civilët vendas, që gjuanin me ç'të mundnin ndaj mysafirëve. Janë dashur forcat e ndërhyrjes së shpejtë, për të menaxhuar situatën. Kur po iu drejtoheshin hyrjes së dhomave të zhveshjes, tifozët dibranë kanë goditur me çadra dhe sende të tjera të forta lojtarët dhe pjestarët e stafit teknik të Kastriotit. Fusha e Korabit u dënua një sezon, edhe pse skuadra dibrane siguroi ngjitjen në Superiore.

Nëntor 2015: Sopoti – Iridon Bahiti, pas ndeshjes me Luftëtarin, në Kompleksin e Pezës, hyri në fushë dhe tentoi të godiste gjyqtarin Sokol Çekaj. Nëse këtë s’e arriti dot ta bënte, sepse ndërhynë ato pak forca policore private, që ishin aty, e pështyu në fytyrë kryesorin nga Laçi. Ajo pështymë i ka kushtuar 2 vite (24 muaj) pezullim nga çdo aktivitet sportiv në Shqipëri zyrtarit të Sopotit, Iridon Bahiti. Veç kësaj, Sopoti, për dështim në përmbushjen e detyrimeve dhe përgjegjësive, e humbi ndeshjen me Luftëtarin në tavolinë, me rezultatin 3-0 dhe zhvillimin e 6 ndeshjeve pa spektatorë.

2014: Bylis – Ekipi i KF “Bylis”, për dështim në organizimin e ndeshjes dhe përmbushjen e përgjegjësive, bazuar në nenet 29, 64 dhe 65.2 të KDS, u dënua me përjashtim nga kampionati dhe zbritjen një kategori më poshtë, si dhe humbjen e ndeshjes në tavolinë me KF “Laçi“, me rezultatin 3-0.
 Zyrtari i KF “Bylis”, Besnik Kapllanaj, për dhunë fizike ndaj zyrtarëve të ndeshjes u përjashtua përgjithmonë nga çdo aktivitet sportiv. Kujtojmë se delegati Besnik Çela u godit me sende të forta në kokë në Ballsh, pas ndeshjes me Laçin, ndërsa pas mjekimeve në spitalin e Fierit bëri kallëzimin në komisariat për Kapllanajn.

2011: Laçi: Ndeshja me Kastriotin kishte përfunduar 1-1, por tifozë e zyrtarë vendës goditën drejtues e arbitra, kryesisht Lorenc Jeminin. Bardhezinjve iu zbritën 6 pikë nga klasifikimi dhe gjysmën e sezonit të ardhshëm e luajtën në fusha asnjanëse.

2011: Pogradeci – Ndeshja ndaj Teutës kishte përfunduar, por u godit një zyrtar i FSHF-së. Liqenorëve iu zbriten tri pikë nga klasifikimi.

2009: Tërbuni – Edhe pse kishte përfunduar ndeshja, tifozë e drejtues vendës u futën në fushë dhe goditën zyrtarët e ndeshjes ndaj Kastriotit. Vendimi i Disiplinës ishte zbritja e Tërbunit një kategori më poshtë dhe dhënia e 3 pikëve në tavolinë krutanëve!

Flamurtari-Skënderbeu – Vetëm se u godit me një grusht presidenti i skuadrës korçare, Ardian Takaj, Flamurtarit iu zbritën tri pikë nga klasifikimi.

24.09.2006 / Vlorë – Drejtuesit e klubit “Flamurtari” uzurpojnë fushën e tyre, pas dhënies së një penalltie për bregdetarët në ndeshjen Flamurtari-Teuta. KF Flamurtari dënohet me 3 ndeshje pezullim të fushës dhe 100 mijë lekë të rinj gjobë.

 04.10.2006 / Peqin – Tifozët vendës sulmojnë presidentin e Partizanit, Albert Xhani, pas ndeshjes Shkumbini-Partizani. Goditen me shkelma e grushte edhe arbitrat Indrit Shima dhe Sokol Avdo. Fusha e Peqinit pezullohet për 6 ndeshje.

17.10.2006 / Devoll – Futbollistët e Gramozit, Ergi Xaka, Adriatik Kodra, Armand Caka, Ervis Ismolli, Hyserion Shupe dhe Evis Peçi ushtrojnë dhunë fizike ndaj arbitrave të ndeshjes Gramozi-Bylisi. Futbollistët pezullohen për 3 vjet, klubi përjashtohet nga kampionati dhe zbret një kategori më poshtë.

10.11.2006 / Burrel – Drejtuesit e klubit të Burrelit ushtrojnë dhunë mbi shefin e arbitrave të FSHF-së, Sulejman Mema, arbitrin e ndeshjes Burreli-Erzeni, Mentor Sopjani, si dhe trajnerin e Erzenit, Hysen Dedja. Klubi përjashtohet nga kampionati, zbritet një kategori më poshtë.

11.11.2006 / Poliçan – Në takimin Poliçani-Bylisi futbollistët dhe stafi i skuadrës ballshiote u goditën me mjete të forta dhe qyta pistolete nga drejtuesit dhe tifozët vendës. Dy futbollistë dhe zëvendëstrajneri ballshiot përfunduan në spitalin e Fierit.

09.02.2008 / Tepelenë – Dhunohen gjyqtarët e takimit Tepelena-Pogradeci. Kryesori Shkëlqim Balliu merr plagë në kokë pas hedhjes në fushë të sendeve të forta. Për shpërndarjen e tifozëve policia u detyrua të qëllonte me armë në ajër.

01.03.2008 / Sarandë – Në Butrinti-Memaliaj, lojtarët e Memaliajt janë dhunuar nga tifozët, aq sa portieri Ervin Merdani përfundoi në spital në gjendje shumë të rëndë shëndetësore. Klubi përjashtohet për 2 vjet nga të gjitha kompeticionet.

19.11.2010 / Memaliaj – Në ndeshjen Memaliaj-Butrinti mbeti i plagosur futbollisti sarandjot Lulëzim Meta, pasi u godit nga tifozët, të cilët invaduan fushën e lojës. Dhunë pati edhe ndaj zyrtarëve të ndeshjes. Kështu, Memaliaj u përjashtua për dy vjet nga kampionati, ndërsa disa futbollistë u përjashtuan për 5 vjet nga të gjitha aktivitetet.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit