Hasani: Te Tirana nuk të pret njeri, duhet të shtrëngosh dhëmbët

29 Dhjetor 2018
14:52
Eraldo Harlicaj
back button

Goli i Edon Hasanit u shpall si më i miri i muajit dhjetor nga fansat e Telesportit. Rrjeta e shkodranit në takimin kundër Flamurtarit për fitoren 1-0 ishte një perlë e vërtetë. Qetësi, teknikë dhe forcë, mesfushori është rikthyer në formën e tij më të mirë te kryeqytetasit, pas aventurës së kaluar te Sepahani në Iran. 25-vjeçari ka luajtur 17 ndeshje, 15 si titullar dhe ka shënuar 5 gola duke barazuar rekordin e tij personal të golave në një vit. Shkodrani është golashënuesi më i mirë i kreyqytetasve. Në një intervistë për Telesport, ai tregon momentin që po kalon te 24 herë kampionët e vendit.

Edon, a ndjeheni i vlerësuar duke qenë se goli juaj u zgjedh më i bukuri i muajit?
– Sigurisht. Goli të motivon shumë si në aspektin personal ashtu dhe atë kolektiv. Goli kishten vlerën e 3 pikë dhe i shënuar në minutat e fundit, pas atyre rasteve të humbura, i jep akoma më tepër rëndësi. Shpresoj të marr dhe lojtarin e muajit tani (Qesh). 

Si po ndiheni te Tirana?
– Tirana është Tirana. Klub legjendë me shumë tituj të fituar, por mungesa e një titulli vitet e fundit e ka shtuar presionin. Ishte një hap i madh të nënshkruaja me Tiranën, jam ndjerë i mirëpritur dhe i motivuar për të dhënë sa më shumë nga vetja. Më vjen keq që nuk po e gëzojmë si duhet këtë klub të madh, por me shpresën që do e bëjmë në të ardhmen. 

A keni gjetur atë ambient që keni pretenduar?
– Jam ndjerë shumë mirë dhe jam ambientuar shumë shpejt. Te Tirana nuk të pret dot njeri, por duhet të shtrëngosh dhëmbët për të dhënë më të mirën për fanellën. 

Çfarë ka shkuar keq në këtë fillim sezoni?
– Për fat të keq kemi vuajtur nga gabime individuale, gabime që na kanë kushtuar. Gjëra të tilla ndodhin në futboll. Kur flas për gabime, them dhe rastet e humbura para portës, pavarësisht se jemi ndër 3 skuadrat që kemi shënuar më shumë. Bashkë me trajnerin jemi munduar që t'i gjejmë dhe të mos i përsërisim problemet.  

– Ku mendoni se do të përfundoni në fund të sezonit?
– Me punën që po bëjmë dhe me pak fat shpresojmë që minimalisht të kapim Kupat e Europës, pasi nuk e meritojmë aspak pozicionin që kemi. Tifozët tanë e kanë parë që 90% të ndeshjeve i kemi dominuar, por dhe fati na ka ndëshkuar. Duhet të jemi më të qetë dhe më të përqëndruar në vazhdim.

– Ku ndryshon trajneri Mema me brazilianin Ze Maria?
– Nuk është mirë që të flasim për trajnerë. Janë dy karaktere të ndryshme. Ze Maria ishte tepër autoritar, ndërsa Mema i merr të gjitha përgjegjësitë vetë për të na mbajtur sa më larg trysnisë së rezultateve. Një arsye që duhet të kthejmë situatën është dhe për trajnerin, i cili ka lidhje të madhe me këtë klub e me këtë fanellë. 

– A do të kemi ndonjë surprizë në merkato?
– Kam nënshkruar një kontratë me Tiranën dhe kam dëshira ta respektoj deri në fund. Nëse do të ketë ndonjë lëvizje, besoj që do të kemë mirëkuptimin e presidentit për një të mirë të përbashkët. Aktualisht nuk mendoj asgjë në këtë aspekt.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit