Henry i “dashuruar” me Simone Inzaghin, e ka ndjekur prej vitesh: Nëse përballeni me të, jeni në telashe…

5 Mars 2024
13:55
Alfred Lleshi
back button

Interi i Simone Inzaghit vazhdon të fitojë jo vetëm në Itali, por edhe në Evropë dhe në mbarë botën. Pas humbjes së finales së Ligës së Kampionëve në Stamboll 1-0, skuadra zikaltër po dominon Serie A me 15 pikë epërsi ndaj Juventusit të vendit të dytë. Tani, Interi duket i vendosur ta thotë me zë të lartë fjalën e vet edhe në garën kontinentale.

I freskët nga fitorja 1-0 ndaj Atletico Madridit, trajneri Inzaghi synon fuqishëm çerekfinalet e Champions League. Algoritmet e vendosin Interin mes favoritëve për triumfin final me Manchester City dhe Real Madridi.

Zikaltrit “fluturojnë”, të admiruar nga disa kolegë dhe ish-kampionë, duke përfshirë Thierry Henry. Ish-ylli francez i Arsenalit, trajneri aktual i Francës U-21, shprehu admirimin e tij për Simone Inzaghin dhe mënyrën se si luan ekipi i tij.

“Kë duhet të ndjek? Inzaghin, – ka rrëfyer Thierry Henry në “Sky Sports UK”, duke shpjeguar arsyet e dashurisë së tij për trajnerin italian. – Unë e kam ndjekur atë prej një kohe të gjatë, që nga ditët në stolin e Lazios. Nëse përballeni me të në ndonjë ndeshje, jeni në telashe, siç tregoi 3-5-2 i tij në finalen kundër Manchester City”.

Henry analizoi në mënyrë specifike se si Inzaghi luan me ekipin e tij, Inter, në mënyrë që ta bëjë atë më të njohur për spektatorët britanikë: “Ajo që më pëlqen tek Inzaghi është se preferon të përdorë dy qendërsulmues. Më pëlqen se si është krijuar 5-3-2 i Interit, veçanërisht nëse shikojmë mesfushën, ku keni Barella, Calhanoglu dhe Mkhitaryan, të cilët kur kanë topin janë mjaft të mirë për ta luajtur atë.

Interi ka Lautaro Martinez, që kthehet deri pas; ka Thuram që zë krahët kur Dimarco nuk kthehet. Dumfries dhe Darmian shënuan në këtë mënyrë dy gola të tillë kundër Juves”. Ndeshja kundër Genoa ishte fitorja e nëntë radhazi e Interit në Serie A. Kjo është hera e dytë që ndodh për zikaltrit, tri vite pas udhëtimit pa ndalesë të Antonio Contes.

Në veçanti, Interi nuk ka humbur asnjë ndeshje që nga dhjetori, që nga barazimi 1-1 në ndeshjen e parë kundër Genoa. Që atëherë, mes kampionatit dhe kupave, vetëm fitore.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit