Hera e parë në “teatrin e Maradonës”; Napoli me ndjenja të përziera për Messin

16 Dhjetor 2019
14:19
Alfred Lleshi
back button

Para së gjithash, një fakt domethënës për sfidën Napoli-Barcelona, në Champions: në pothuajse 15 vite karrierë, Leo Messi nuk ka luajtur kurrë në stadiumin “San Paolo”, apo thënë ndryshe në “teatrin e Maradonës”, ku ikona e vendit të tij bëri historinë. Për herë të parë kjo do të ndodhë në shkurt. Me siguri do të jetë një emocion i shkëlqyer, por askush nuk do të ishte aq naiv, sa ta zvogëlonte Barcelonën vetëm në përmasat e numrit të saj të frikshëm “10”. 

Le të mos harrojmë emra të tjerë si Griezmann, Busquets, Piqué, portierin monumental Ter-Stegen, bomberin Suarez, që shënoi dhjetë ditë më parë ndaj Mallorca një nga golat më të bukur të vitit 2019. Ndjesia e madhe, që la Barça disa ditë më parë në “San Siro”, kur me një ekip rezervash mposhti (2-1) dhe eliminoi Interin, e tregon më së miri forcën e saj. Po flasim për një ekip, që po përpiqet ngadalë të përgatitet për periudhën post-Messi, duke “mbarështuar” disa kampionë të rinj. Për këtë mjafton të shihni 17-vjeçarin Ansu Fati.

Ndërsa presim “El Clasico” e mbrëmjes së mërkurë për të përcaktuar më mirë hierarkitë në La Liga, me Realin dhe Barçën të çiftuar aktualisht në krye të renditjes, nuk ka dyshim se Champions-i është objektivi i vërtetë blaugrana. Mungesa e këtij trofeu prej disa vitesh dhe tri triumfet radhazi të Real Madridit në këtë kompeticion (2016-2018) e kanë rritur zhgënjimin e tifozëve katalanas. Ata janë tepër të hidhëruar, sidomos pas dy eliminimeve radhazi europiane, kundër Romës (2018) dhe Liverpool (2019). 

Trajneri Ernesto Valverde u vu në shënjestër të kritikëve dhe tifozëve pikërisht për shkak të atyre dy “rrëshqitjeve” ta pafalshme në transfertë, pasi kishte fituar bindshëm në shtëpi, në sfidat e para; por ndërkohë qëndron ende në stol. Pikërisht precedenti me verdhekuqtë e Di Francesco, kryesisht inferiorë në letër, por të aftë për ta zhbërë disfatën 4-1 të ndeshjes së parë në “Camp Nou”, duhet t’i japë kurajo trajnerit Gattuso dhe napoletanëve, të cilët shpresojnë t’i ketë zgjidhur deri në shkurt problemet e shumta të këtyre ditë. Në këto vite, dy skuadrat u takuan në një miqësore të dyfishtë (këtë verë, fituan katalanasit, 4-0 dhe 2-1). 

Pra, do të jetë e para ndeshje zyrtare e historisë mes Napolit dhe Barcelonës. Nëse shihen precedentët mes Barçës dhe Gattuso si futbollist (dy fitore, dy barazime dhe dy humbje, të gjitha me Milanin), edhe Ernesto Valverde mund të mburret me një ecuri të favorshme ndaj Napolit, si trajner. Këtu kujtojmë një nga ndeshjet më të dhimbshme të “presidencës De Laurentiis”: play-off i humbur kundër Athletic Bilbao, në verën e vitit 2014, në agimin e sezonit të dytë të trajnerit Benitez aty.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit