“Hero” dhe “djall” i finales, por Lukaku zgjidhet më i miri i Ligës së Europës

2 Tetor 2020
14:20
Alfred Lleshi
back button

Sulmuesi i Interit, Romelu Lukaku, është zgjedhur “Lojtari i Sezonit” në Ligën e Evropës (2019-2020). 27-vjeçari përfundoi përpara Bruno Fernandes dhe Éver Banega, duke e fituar edicionin e katërt të çmimit në fjalë, i cili u njoftua gjatë shortit të fazës së grupeve të “Europa League” në Nyon. Bashkëlojtari i tij belg, Eden Hazard, e kryesoi podiumin sezonin e kaluar.

Lukaku luajti në të gjashtë ndeshjet e Interit, në këtë kompeticion, duke shënuar gjithsej 7 gola dhe dhënë 2 asiste. Ai hapi rezultatin nga pika e bardhë në finalen e gushtit, megjithëse ishte për të ardhur keq që më vonë devijoi një goditje të kundërshtarit në autogol, që i dha titullin Sevilla.

Lukaku, megjithatë, e përfundoi sezonin 2019-220 me 34 gola në të gjitha garat për zikaltrit, një shifër e rëndësishme, sikurse bëri Ronaldo (Fenomeni) në sezonin e tij të parë tek Interi, më 1997-1998.

Dhjetë lojtarët më të mirë të Ligës së Europës (2019-2020)
1.
Romelu Lukaku (Inter) – 270 pikë
2.Bruno Fernandes (Sporting CP/Manchester United) – 128 pikë
3. Éver Banega (Sevilla) – 118 pikë
4. Luuk de Jong (Sevilla) – 64 pikë
5. Jesús Navas (Sevilla) – 59 pikë
6. Lucas Ocampos (Sevilla) – 39 pikë
7. Kai Havertz (Leverkusen) – 17 pikë
8. Diego Carlos (Sevilla) – 9 pikë
9. Adama Traoré (Wolves) – 8 pikë
10. Jules Koundé (Sevilla) – 7 pikë

Si u zgjodh Lukaku?
Juria ishte e përbërë nga trajnerë të 48 klubeve në fazën e grupeve të sezonit të kaluar, së bashku me 55 gazetarë të zgjedhur nga grupi “European Sports Media” (ESM), nga një prej secilës federatë anëtare e UEFA-s. Anëtarët e jurisë zgjodhën tre lojtarët e tyre të parë, me të parin që mori pesë pikë, të dytin tri pikë dhe të tretin 1 pikë. Trajnerëve nuk iu lejohej të votonin për lojtarët nga skuadra e tyre.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit