“Heshti dyshuesit dhe kritikët…”; Rivaldo sfidon publikisht Messin para “El Clasico”

23 Tetor 2020
14:48
Alfred Lleshi
back button

Lionel Messi mund të provojë në “El Clasico” se është ende i përkushtuar ndaj Barcelonës. Kjo është sfida që Rivaldo i hedh yllit argjentinas në prag të përballjes së madhe me Real Madridin. Në prag të një fundi zhgënjyes të sezonit 2019-2020, Messi transmetoi në klub dëshirën për të nisur një sfidë të re tjetërkund. Barça e mbylli shpejt derën e daljes dhe 33-vjeçari vendosi ta respektonte deri në fund kontratën së tij.

Kapiteni katalanas do të jetë i lirë të flasë me ndonjë nga pretendentët e shumtë nga janari, pa kushte të reja. Rivaldo dëshiron që gjashtë herë fituesi i “Topit të Artë” të heshtë çdo dyshues dhe kritik nga skena më e madhe e La Liga-s, të shtunën, në “El Clasico”:

“Ndeshja e së shtunës është mundësia perfekte për Lionel Messin, që të provojë se është ende i përkushtuar ndaj Barcelonës. Ai kishte një verë të vështirë dhe nuk e ka filluar sezonin në mënyrë të shkëlqyeshme, por kjo është ndeshja perfekte për të ngritur lojën dhe për të provuar se është ende një lojtar i jashtëzakonshëm. Një shfaqje fituese e ndeshjeve kundër Real Madridit do të rriste besimin e tij për pjesën e mbetur të sezonit.

Ndeshja është gjithashtu një shans që Barça të grumbullojë presion ndaj Real Madridit. Ata janë në formë të dobët dhe kanë humbur dy ndeshjet e fundit, të dyja në shtëpi. Mbani mend, Barça u mund fundjavën e kaluar në La Liga nga Getafe. Unë thashë në fillim të sezonit që Real Madridi do të kishte një epërsi ndaj Barcelonës, pasi u kurorëzua kampion në La Liga.

Po kështu, kishte një parasezon të qetë. Tani Barcelona ka shansin të përgjigjet, duke i dërguar madridasit në një krizë të papritur, me tri humbje radhazi. Nga ana tjetër, Real Madridi do ta shohë “El Clasico” si një shans për t’i lënë pas rezultatet e këqija. Edhe një herë duhet të shohim një ndeshje shumë pasionante, edhe pa tifozë në tribuna”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit