Hidh e prit, Xhaferi e Josa “ristartojnë” Vllazninë përmes vlerësimesh reciproke

16 Maj 2022
13:57
Alfred Lleshi

Alban Xhaferi ka prezantuar sot trajnerin e ri (dhe të dikurshëm) të Vllaznisë. Po flasim për një emër të njohur, Mirel Josa, i cili ka provuar shumë stola të Superiores, duke fituar edhe titullin kampion. Presidenti i klubit kuqeblu tha në fjalën e tij:

“Nuk më erdhi mirë për largimin, dua të falenderoj Plorin publikisht. Nuk ka qenë trajner për një muaj, ka dy vite që e kemi në staf dhe ka merita për riformatimin e Vllaznisë. Eshtë një investim i klubit. Unë i lë trajnerët në qetësinë e tyre, por pikët nuk ishin. Plori ka bërë diçka të jashtëzakonshme pas largimit të Brdaric.

Entuziazmi dhe riformatimi i ri, kjo ishte arsyeja e ardhjes së Josës. Synojmë që lojtarët të rinovojnë, disave iu mbaron kontrata dhe duan të largohen. Do ketë afrime. Do t’i japim mbështetje Josës për arritjen e objektivit.

Objektivi i parë ishte kampionati, nuk u arrit. Kemi finalen e Kupës. Mospjesëmarrja në Evropë nuk do na sillte të ardhura, unë e kam marrë parasysh këtë gjë. Kemi objektiva të përcaktuara. Me Josën kemi pasur bisedë shumë të çiltër, shumë të pastër dhe uroj që të kemi suksese”.

Nga ana e tij, trajneri kryeqytetas tha se i duket sikur nuk ka shumë i larguar nga Shkodra (10 vite), teksa përshëndet mjedisin e ngrohtë futbollistik në kryeqendrën e veriut: “E para punës mirë se ju gjeta. E dyta e punës më duket vetja se kam ikur shumë pak nga Shkodra. Ju njoh të gjithëve. Është shumë pozitive për mua, duke e krahasuar me herën e parë që kam ardhur në Shkodër. Kam ardhur me ndrojtje në 2006-tën, por kam ndjerë njëfarë ngrohtësie nga ambienti shkodran.

Më është dukur pak i çuditshëm rikthimi, sepse edhe 3 ndeshje e mbaron kampionati. M’u duk e çuditshme ta merrja ekipin tani. Por, kur bëhen ndryshimet, bëhen për të rikuperuar problemet e mbartura. Erdha me dëshirë të madhe këtu.

Me presidentin ishim të dy në një linjë për sezonin e ardhshëm, por edhe për këto 3 ndeshje. Për mua kjo epokë s’ka përfunduar ende. Ne na intereson të rrisim një entuziasëm të madh në skuadër. E kam parë Vllazninë. Është një skuadër që më ka pëlqyer, por secili ka synimet e veta.

Nuk ka gjëra për të ndryshuar te Vllaznia. Mua më duhet që skuadra të jetë kompakte. Do ta shihni më vonë, qoftë edhe në rezultate. Puna jonë varet nga rezultatet. Më pëlqeu sinqeriteti dhe jo vetëm Xhaferri. Kur kam bashkëpunuar me presidentët e tjerë ka pasur probleme sinqeriteti. Ju fus dhe ju gazetarëve këtu. Të gjitha gjërat besoj do të shkojnë mirë. Objektivi ynë është kapja e Europës dhe të vazhdojmë mirë në sezonin e ardhshëm.

Kupa e Shqipërisë? Në futboll s’ka parashikime, por duhet të keni parasysh që dy herë jam ndeshur me Vllazninë, kur isha me Laçin. Laçi ka një skuadër të fortë. Ne do ta bëjmë veten tonë më të forte, sepse është një ndeshje. Para ndeshjes finale të Kupës do të kemi një takim me lojtarët. Presidenti ka 50 për qind. Të bëjmë të gjithë punën tonë, rezultatet tona do të vijnë.

Hakmarrje ndaj Laçit në finalen e Kupës? Jo, s’ka aspak vend për hakmarrje. E falënderoj Laçin. Shumë i mirë është ambienti në Laç, ashtu janë mësuar të funksionojnë. Është hera e parë që flas për Laçin dhe e falënderoj për mundësinë e dhënë. Mirënjohja është një problem tjetër, që unë këtu në Shkodër e kam pasur. Problemi është se si do të bëjmë që këtyre lojtarëve t’iu marrim maksimumin.

Brdariç? Ky nuk është problemi im. Që të largohet një trajner nga skuadra nuk është vetëm faktori rezultat. Varet se ç’ndodh brenda për brenda. Epoka, qoftë e shkurtër, qoftë e gjatë përfundon. Puna është mos të jenë të mërzitshme punët tona me njëri-tjetrin. Ne kemi parë trajnerë që ndërrohen në gjithë botën. Vetëm se atje ka sanksione.

Stafi teknik? Unë personalisht jam munduar që kudo ku kam shkuar të mbaj njerëzit që kanë punuar, por tani jemi në dy periudha të ndryshme. Të përfundojë kjo periudhë dhe do të shohim. Në punën tonë, po të kesh shumë siguri, duhet të jesh shumë i kujdesshëm në çdo moment. Unë me lojtarët e kam programuar të shkoj nesër në seancën e parë stërvitore”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit