Hidhet shorti i çerekfinaleve të Champions-it, përplasje italiane dhe “finale” e parakohëshme

17 Mars 2023
12:21
Alfred Lleshi
back button

U hodh sot në Nyon të Zvicrës nga UEFA shorti i çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve. Përmes një procedura pa kufizime të tilla si nuk mund të përballen dy skuadra nga i njëjti shtet apo ato që kishin sfiduar njëra-tjetrën në fazën e grupeve, goglat u përzien dhe konfirmuar këto çifte:

Inter-Benfica

Real Madrid-Chelsea

Milan-Napoli

Manchester City-Bayern Munich

Tashmë është e qartë dhe skema e gjysmëfinaleve. Kështu, fituesi i çiftit Milan-Napoli do të ndeshet me fituesin e Benfica-Inter. Nga ana tjetër, fituesi i Real Madrid-Chelsea do të sfidojë fituesin e Manchester City-Bayern Munich. E sigurt është se do të kemi së paku një skuadër italiane në raundin tjetër, një hap larg finales.

Paraprakisht, “AS” shkruante se se Bayern Munich dhe Manchester City ishin dy skuadrat që Real Madridi dëshironte t’i shmangte me çdo kusht. Gjithashtu, gazeta prestigjioze spanjolle në fjalë  theksonte se Real Madridi do të kishte një avantazh ndaj njërës prej këtyre skuadrave, nëse takoheshin në çerekfinale, duke pasur parasysh precedentët e fundit.

Është interesante se e vetmja herë që Manchester City e ka eliminuar Real Madridin nga Liga e Kampionëve, bavarezët vazhduan ta fitonin trofeun e shumëlakmuar (2020). Nëse shortoheshin kundër Manchester City, sipas “Marca” avantazhi psikologjik do të ishte me galaktikët, duke pasur parasysh përmbysjen dramatike në gjysmëfinale të sezonit të kaluar.

Në mënyrë të ngjashme, mediat iberike shkruanin se Bayerni do t’i frikësohej Real Madridit, i cili është bërë ‘mace e zezë’ për bavarezët në sezonet e fundit, pas një rivaliteti që skuadra gjermane e kishte dominuar më parë.

“Marca” e sotme përmend Real Madridin, Manchester City dhe Bayern Munich si tre favoritët e padiskutueshëm, që të gjitha skuadrat e kualifikuara në çerekfinale do të donin t’i shmangin. “Marca” sugjeronte se, duke pasur parasysh aftësitë e tyre sulmuese, Carlo Ancelotti do të dëshironte të shmangte ish-klubin e tij, Napoli. Prestigjiozja spanjolle e përshkruan skuadrën e Spalletti si një rrezik të fshehur. Vëmendje të veçantë i jepte edhe Benfica-s: “Një ujk i maskuar si dele”.

Karim Benzema, sulmuesi i Real Madridit, u shpreh para hedhjes së shortit: “Të gjitha skuadrat e mbetura janë shumë të mira. Nuk ka rivalë ‘të vegjël’ në çerekfinale. Qasja ime është gjithmonë vetëm të pres dhe të shoh se me kë do të përballemi”.

Ndeshjet e para çerekfinale do të luhen të martën e 11 prillit dhe të mërkurën e 12 prillit, ndërsa ndeshjet e kthimit janë planifikuar për më 18 dhe 19 prill. Gjysmëfinalet do të luhen në datat 9-10 dhe 16-17 maj, ndërsa finalja është përcaktuar të shtunën e 10 qershorit në stadiumin “Atatürk” të Stambollit.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit